UBT News

​Kurti ftohet për raportim në Kuvend, Gashi: S’ka pse të mbahet sekret një dokument që është pranuar

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet këtë të premte, ndërsa për raportim në këtë seancë është ftuar kryeministri Albin Kurti. Ai para deputetëve pritet të përgjigjet lidhur me atë që është dakorduar të enjten në Bruksel. Nga opozita po presin që nga Kurti të bëhet e ditur përmbajtja e dokumentit për të cilin ai ka shprehur gatishmërinë ta nënshkruajë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se për raportimin e të parit të ekzekutivit pati dakordim në mbledhjen e sotme.

“Sot, në mbledhjen e Kryesisë u dakorduam që ta ftojmë kryeministrin për raportim në Kuvend, lidhur me bisedimet e fundit, të cilat janë mbajtur dhe se çka ka pranuar kryeminsitri i vendit. Cili ëhstë ai draft që është pranuar, si kemi arhdur deri tek ai proces dhe si kemi ardhur deri tek ky konkluzion? Presim që kryeministri të jetë të premten në Kuvend, së bashku me dokumentet të cilat i ka pranuar dhe këto të diskutohen në Kuvend”, tha ai.

Sipas tij, dokumenti i cili është pranuar tashmë nga kryeministri i vendit nuk ka pse të mos prezantohet para përfaqësuesve të popullit. Ai madje, tha se në të kaluarën ishte pikërisht kryeministri Kurti që kërkonte me ngulm publikimin e dokumenteve, në të kundërtën, siç tha Gashi, i quante “tradhti” apo “tendencë për të fshehur akte të tradhtisë”.

“Gjithmonë janë bërë të njëjtat kërkesa. Por, në kohët e mëhershme, kur negociuesit dhe bashkëbiseduesit nuk i kanë shfaqur dokumentet qoftë edhe partive politike, atëherë kryeministri i Kosovës i ka quajtur ‘tradhti’ apo ‘tendencë për të fshehur akte të tradhtisë’. Nuk e dimë çfarë ka në ato dokumente, për ne është me rëndësi që në ato dokumente të kemi qasje si Kuvend i Kosovës, si institucion dhe si përfaqësues të popullit, dhe të krijojmë opnion se çka na pret në të ardhmen në bazë të obligimeve që kryeministri i ka marrë. Është një dokument i cili është pranuar, nuk ka pse të mbahet sekret”, vijoi Gashi.

Deputeti i LDK-së foli edhe për raportet e Kosovës me ndërkombëtarët dhe grevën e minatorëve të Trepçës.

“Shprehëm shqetësimin tonë lidhur me grevën e minatorëve të Trepçës dhe kërkuam që sa m shpejtë, kryeministri dhe qeveria të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar. Kërkesat e minatorëve janë minimaliste dhe të gjitha duhet të plotësohen. Pra, jemi në një fazë ku duhet të jemi të kujdesshëm dhe të ndërgjegjshëm ndaj strukturave të veçanta, në këtë rast për minatorët, dhe në rastin tjetër, është me rëndësi jetike të diskutojmë me kryeministrin dhe të shohim se si janë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, çfarë ka ndodhur me masat që i ka marrë BE-ja ndaj Kosovës dhe cilët do të jenë hapat e mëtejshëm që do të merren”, tha Gashi.

Exit mobile version