UBT News

Kurti: FSK po forcohet vazhdimisht bashkë me shtetin e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në shënimin e Ditës së Forcës, ka thënë se prioritet i kësaj qeverie ka qenë mbrojtja dhe fuqizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai ka theksuar se krahasuar me vitet e mëparshme, ka dyfishim të numri të ushtarëve e trefishim të buxhetit për mbrojtje. Ndërsa, ka shtuar se Forca e vendit po forcohet vazhdimisht e më këtë po fuqizohet Republika e Kosovës.

“Ne gjithashtu urojmë edhe qeveritarët e Republikës, për shkak se ushtria është e tyre dhe për ta. Nëse krahasojmë me vitet e mëhershme, me qeverisjen tonë kemi dyfishim të numrit të ushtarëve krahasuar me vitin 2021, kemi trefishim të buxhetit për mbrojtje për ministrinë, kemi katërfishim të trajnimeve jashtë vendit për oficerët, nënoficerët, ushtarakët tanë në përgjithësi, ushtarët tonë posaçërisht dhe kemi shumëfishim të investimit në armatim e municion. Armatimi dhe municioni që e shihni në ushtrinë tonë sot është i blerë prej vendeve që janë anëtare të NATO-s, e këtu duhet theksuar ShBA-të, Turqinë, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kroacinë, ka edhe shtete tjera, por këto janë kryesore. Shumica dërmuese është blerje nga buxheti i Kosovës, e pjesërisht është donacion i këtyre vendeve mike, partnere dhe aleate…Forca jonë po forcohet vazhdimisht e më këtë po fuqizohet Republika e Kosovës”, tha Kurti.

Ministri i Mbrojtës, Ejup Maqedonci ka vlerësuar se hapja e fabrikës për prodhimin e municionit për herë të parë në vend do të ngritë industrinë ushtarake të Kosovës. Në këtë drejtim, ai tha se këtë ditë po e shënojmë edhe me një hap të rëndësishëm në plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë.

“Sot është një ditë e veçantë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, shënimi i 27 nëntorit si Dita e Forcës është bërë tashmë traditë, e cila përkon me aktivitete të mëhershme dhe me trashëgiminë që ne kemi nga lufta çlirimtare, por edhe zhvillimet që i kemi si ushtri ndër etapa. Këtë ditë po e shënojmë edhe me një hap shumë të rëndësishëm në plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes dhe sigurisë, atë të fillimit të industrisë ushtarake që është një komponent i rëndësishëm për qëndrueshmërinë shtetërore në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë. Në ditët në vijim do të komunikojmë me gjithë ata që kanë shfaqur interesim për mbështetjen e këtij projekti me qëllim që të finalizojmë këtë projekt në kohë të duhur dhe Kosova të ketë fabrikën e parë të prodhimit të municionit, fabrikë shtetërore, si dhe të ketë laboratorin e parë për dizajnimin e dronëve, kur dihet që dronët tashmë janë një sistem i ri i futur në përdorim operacional në luftërat e fundit dhe tejet i suksesshëm. Për këtë kemi mbështetjen e aleatëve dhe partnereve tanë dhe do të vazhdojmë të komunikojmë më ta”, tha Maqedonci.

Kryeministri Kurti, në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, bëri të ditur se ka marrë vendim për themelimin e komisionit ndërministror për vënien e hapave të para për ngritjen e industrisë ushtarake.

Ai tha se qëllimi fillestar është nisja e procedurave e negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhim të municioneve dhe për laboratorin për dizajnimin e fluturakeve pa pilot.

Exit mobile version