Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ku u diskutua mbi progresin ekonomik dhe avancimin demokratik të Kosovës, si elemente kyç në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Raporti i Vendit i Komisionit Evropian për vitin 2025 vlerëson se Kosova ka vazhduar përparimin në integrimin evropian, duke qenë “më e përgatitur se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor në momentin e marrjes së statusit të vendit kandidat”.
Gjatë takimit thuhet se u trajtuan edhe çështjet gjeopolitike, Plani i Rritjes, bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimet aktuale.
“Kryeministri Kurti theksoi se Kosova luan rol aktiv dhe konstruktiv në rajon, duke mbështetur integrimin më të gjerë ekonomik në përputhje me vlerat dhe standardet e Bashkimit Evropian”, thuhet më tej në njoftim.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kufizuar kohor i miratuar për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027. Ai është peng i ratifikimit në Kuvend.
Nga Plani i Rritjes i BE-së, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë euro – që do të thotë se për kokë banori është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.
