Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje për bashkatdhetarët, duke vlerësuar kontributin e tyre të vazhdueshëm për vendin.
Në një postim në Facebook, Kurti theksoi rëndësinë e pritjes tradicionale që organizohet në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, e cila u kushtohet mërgimtarëve që rikthehen në vendlindje gjatë verës.
“Pritja e përvitshme që e organizojmë për bashkatdhetarët tanë në Ballkonin e Hapur të Qeverisë është një falënderim i yni për ta, për çdo përkrahje që kanë dhënë, për çdo projekt që kanë mbështetur, për çdo zë që kanë ngritur në mbrojtje e afirmim të Kosovës dhe për gjithçka që vazhdojnë të bëjnë,” shkroi Kurti.
Ai vlerësoi se mërgata mbetet një faktor i rëndësishëm në zhvillimin dhe përparimin e vendit, duke theksuar rolin e tyre si ambasadorë të Kosovës në botë.