Në përvjetorin e 22-të të masakrës së Kralanit dhe Rezallës, shefi i Qeverisë, Albin Kurti ka konfirmuar që kanë pranuar informatat se eshtrat që janë zhvarrosur vitin e kaluar në Kizhevak iu përkasin viktimave të luftës në Kosovës.
“Pikërisht në këtë përvjetor, kemi pranuar informatat se nga mostrat e eshtrave që janë zhvarrosur gjatë vitit të kaluar nga varreza masive në Kizhevak dhe janë dërguar për analizë të ADN-së, konfirmohet se këto eshtra iu përkasin viktimave të luftës në Kosovë. Deri më tani ka dy identifikime të reja për të cilat jemi në komunikim me familjet e personave të identifikuar. Varreza masive në Kizhevak të Serbisë ndërlidhet me varrezën masive në Rudnicë dhe ne presim që edhe personat e tjerë, viktimat nga masakra e Rezallës e që janë në listën e personave të pagjetur, të gjenden në Kizhevak. Megjithatë kjo do të dihet pasi të përfundojnë gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion, si dhe të përfundojnë të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore”, shkroi ai në Facebook.
Kurti thotë se është shumë me rëndësi që gërmimet të rifillojnë në këtë lokacion, dhe në lokacionet e tjera të mundshme të varrezave masive.
Dy identifikime të reja nga Kizhevaku, në përvjetorët e Kralanit dhe Rezallës Për çdo ditë përkujtojmë masakrat e para…
Posted by Albin Kurti on Monday, April 5, 2021
I pari i Qeverisë shkroi në Facebook se krahas nderimit për të vrarët në këto dy masakra, duhet të kujtohen edhe të mbijetuarit që dëshmuan me rrëfimet e tyre tragjike./UBTNews