Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, e cila përfundon më 8 gusht, pas dështimit të zgjedhjes së Kuvendit të ri.
Ai ka thënë se është dëm i madh që vendi ynë nuk ka Kuvend që pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Mendoj se duhet të presim edhe pak ditë. Në këtë javë do ta njoftojnë se çfarë do të ndodhë pas 30 ditëve. Nuk e di se cila do të jetë zgjidhja natyrisht. Është dëm i madh që Kosova nuk ka Kuvend, Kosova ka qenë qeveri në detyrë. Vetëm në gjashtë seanca kanë qenë duke e votuar jo suksesshëm kandidaten tonë Albulena Haxhiu, të gjitha të tjera në 45 sosh është duke u mohuar votimi i fshehtë. Është shumë gabim që deputetët opozitarë e bojkotojnë votimin dhe duke e kundërshtuar votimin e fshehtë. Nuk ka përparësi votimi. I hapur ndaj të fshehtë dhe anasjelltas. Le të presim dhe të marrim vesh si të vazhdojmë më tutje”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur edhe rreth reagimit të Prishtinës zyrtare ndaj rreth thirrjeve antishqiptare në Kumanovë.
“Ne bëjmë thirrje që policia atje, në përputhje me ligjin dhe praktikat evropiane, t’i zhvillojë hetimet për këto raste që janë qartazi shoviniste dhe të papranueshme dhe të jenë të dënueshme dhe të mos përsëriten më”, ka thënë Kurti.