Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kanë shkëmbyer deklarata të mprehta gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në lagjen Bardhosh të Prishtinës, duke nxjerrë në pah mospajtimet mes nivelit lokal dhe atij qendror për sa i përket bashkëpunimit dhe realizimit të projekteve në kryeqytet.
Kreu i Prishtinës, Përparim Rama, përdori rastin për të kërkuar publikisht zhbllokimin e buxhetit të Komunës nga Qeveria, duke përmendur projekte të mëdha infrastrukturore që, sipas tij, kanë mbetur pezull për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Është mirë kur kemi një bashkëpunim mes nivelit qendror edhe kryeqytetit. Kemi një numër të madh projektesh, përfshirë unazën e kryeqytetit me vlerë prej 206 milionë eurosh, që mund të shtyhen përpara nëse zhbllokohet buxheti. Kërkoj nga kryeministri që të takohemi dhe të punojmë bashkë për të mirën e qytetarëve”, tha Rama, duke shtuar se gjatë katër viteve të mandatit nuk ka pasur asnjë takim me Kurtin për këto çështje.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, iu kundërpërgjigj duke kundërshtuar gjuhën që Rama përdori për të cilësuar projektin e çerdhes si “minore” dhe duke aluduar në fundin e mandatit të tij pas zgjedhjeve të ardhshme.
“Fëmijët janë të vegjël, por asnjë çerdhe nuk është projekt i vogël. Duhet të kemi seriozitet për çdo investim në arsim. Kryetarin Rama e kam takuar disa herë në zyrën time, dhe vetëm për fushën e arsimit në kryeqytet janë investuar mbi 12 milionë euro. Projektet madhore kërkojnë planifikim shumëvjeçar dhe këtë duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. Kryetari Rama, pas vjeshtës, duhet të gjejë një punë tjetër”, u shpreh Kurti.