Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i paguajë mbi 21 milionë euro dëmshpërblim kompanisë amerikane “Contour Global”, pas humbjes në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar vitin e kaluar.
Kryeministri Albin Kurti tha se kjo kontratë nuk do të duhej të nënshkruhej fare në vitin 2017, pasi pasojat kanë qenë të parapara qysh atëherë. Me gjithë pasojat, sipas tij, është shumë më mirë që ky projekt nuk është realizuar.
“Sot po ndajmë mjetet për Arbitrazhin që kompania “Contour Global” ka fituar ndaj Kosovës. Sic kemi thënë vite më parë ashtu edhe rezultoi. Ky projekt as nuk ka qenë i ideuar të realizohet e as nuk ka qenë në përmbajtje e i dobishëm për vendin tonë. Për fat të keq ndërprerja e qeverisjes sonë në pranverën e vitit 2020 dhe ardhja e një qeverie antikushtetuese ka zbrastësi për të trajtuar këtë çështje dhe për t’u siguruar që Kosova mos të kishte pasoja të tilla. Kështu siç kanë shkuar ngjarjet krijohet bindja se asnjë herë ky projekt plan ta gjejë financimin e duhur, por është mjaftuar me idenë e një Arbitrazhi të mundshëm që t’ia merr paratë Kosovës. Me gjithë pasojat, është shumë më mirë që i njëjti nuk është realizuar, sepse një mbrapshti e tillë nuk ka vazhduar, por ka përfunduar”, theksoi Kurti.
Ndërsa ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe “Contour Global” ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017 nga ish-Qeveria Haradinaj, pavarësisht paralajmërimeve se një marrëveshje e tillë nuk do duhej të arrihej.
“Një marrëveshje e cila ishte nënshkruar në dhjetor të vitit 2017 përmbante vetë nënshkrimin e kryeministrit Ramush Haradinaj. Qeveria Haradinaj kishte nënshkruar këtë marrëveshje përkundër të gjitha paralajmërimeve nga opozita, nga shoqëria civile dhe nga ekspertët e fushës që një kontratë e tillë nuk duhej të nënshkruhej”, theksoi ai.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka shtuar se “Ajo që kemi fituar në arbitrazh është pothuajse shtatëfishi i kësaj që duhet të paguhet.
“Gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, Avokatura jonë ka qenë shumë e suksesshme. Ajo çfarë kemi fituar është shtatëfishi i kësaj shume që duhet të paguhet për shkak të humbjes në tribunal nga një kontratë kapitullues të një qeveria të më hershme me “Contour Global””, theksoi Kurti.
Kjo kompani amerikane e kishte çuar në arbitrazh Kosovën gjatë vitit 2020-s lidhur me projektin e Termocentralin “Kosova e Re”.