Në takimin që Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde dhe zëvendës ambasadorin Jan-Axel Voss u bisedua për çështje të interesit dhe rëndësisë për të dy vendet, bashkëpunimin ekonomik bilateral dhe projektet e përbashkëta sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.
U bisedua për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, me theks për Tregun e Përbashkët Rajonal. Kryeministri Kurti tha se shpresojmë në arritjen e marrëveshjeve në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal që trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet pjesëmarrëse dhe që nxisin zhvillimin dhe demokratizimin e rajonit e prej të cilave qytetarët janë përfituesit final. Në takim u bisedua edhe për situatën e re me pandeminë COVID-19 pas përhapjes së variantit delta në vend dhe masat që qeveria po merr në përballjen me të.

Kryeministri Kurti dhe ambasadori Rohde po ashtu diskutuan rreth samitit të ardhshëm në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian dhe pritjet e tyre nga ky samit që do të mbahet në tetor të këtij viti në Slloveni.