Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por ka theksuar nevojën e një konsensusi më të gjerë edhe me partitë opozitare për shpërndarjen e Kuvendit.
Kryeministri Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, tha se si mundësi për zgjedhje janë pranvera e vonshme dhe vjeshta. Mirëpo shtoi se për caktimin e datës së zgjedhjeve është e domosdoshme të pajtohen të gjitha partitë parlamentare.
“Duhet të diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe të shohim se cila është data për të cilën pajtohemi më së shumti. Unë do të isha dakord për një gjë të tillë…Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota dhe LVV-ja nuk i ka. Njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendit me dy parti, apo tri. Pse mos të bëhemi të gjithë bashkë. Është në natyrën e opozitës që të kërkojë zgjedhje, ndërkaq unë jam në vitin e fundit të mandatit, qeverisja ime në këtë mandat nuk mund të zgjasë më shumë sesa disa muaj. Për mua nuk është thelbësore a do të qeverisi në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë, apo tre muaj. Por është e rëndësishme që të kemi një konsensus sa më të gjerë për datën e zgjedhjeve”, tha Kurti.
Më tej Kurti paralajmëroi se do të insistojë të takohet edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, pavarëisht refuzimit të tyre për takimin e sotëm.
“Unë do të insistojë të takohem edhe me të tjerët, nuk është synimi jonë të përjashtojë askënd. Besoj se marrëveshjet ndërkombëtare që kanë nevojë për 80 vota e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin”, shtoi ai.
Ai nënvizoi sërish se Kosova ka plotësuar kriteret për anëtarësim në Këshill të Evropës, derisa nuk dha sinjale se do të dërgojë gjatë kësaj jave draft-stautin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.
“S’kam asgjë të re për të thënë për këtë aspekt, pasi kemi plotësuar të gjitha kushtet. Tash unë besoj se fjalën nuk e kemi ne, përkatësisht Këshilli i Ministrave”, tha ai.
Duke folur për marrëdhëniet me ShBA-në, Albin Kurti tha se ato nuk bazohen se kush janë në pushtet, demokratët apo republikanët, pasi amerikanët janë aleati dhe partneri i pazëvendësueshëm për Kosovën.
“Marrëdhëniet me ShBA-në nuk i bazojmë a janë në pushtet republikanët apo demokratët. Këtu tek ne edhe ne i kemi dallimet ideologjike dhe ato janë ideologjiket. Për qeverisjen e mirë në Kosovë dhe të ardhmen duhet të shohim dallimet tona dhe jo dallimet e partive në Amerikë pasi ShBA-ja janë aleati, partneri dhe miku i pazëvendësueshëm”, tha Kurti.
Lideri opozitarë, Memli Krasniqi është i vetmi që ka pranuar ftesën për takim të kryeministrit Albin Kurti, ndërkaq kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë refuzuar ftesën, me arsyetimin se diskutimi për agjendën legjislative është në domenin e Kuvendit.