Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke marrë pjesë në një konferencë në Dubrovnik të titulluar “Kroacia evropiane, retrospektiva dhe perspektiva”. Kurti teksa ka folur për tensionet e fundit në veri të vendit ka thënë se Kosovës po i duhet të merret me ekstremistë të dhunshëm, ultranacionalistë dhe të djathtë që besojnë në “Botën Serbe” dhe e shohin atë si “bota ruse”.
“Këta njerëz janë ata të cilët admirojnë Millosheviqin ose Putinin”, ka thënë Kurit në Dubrovnik, shkruan N1.
Ai tutje ka thënë se Kosova ka nevojë për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit dhe për datën e zgjedhjeve. Kurti ka thënë se Kosova mund ta reduktojë prezëncën e policisë speciale në komunat veriore nëse ekstremistët e dhunshëm i japin fund trazirave.
“Unë mendoj se rruga përpara është dialogu intensiv për të implementuar marrëveshjen dhe ne kemi një marrëveshje dhe duhet ta implementojmë”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti tutje ka thënë se BE-ja është projekti më i rëndësishëm i paqes dhe të ardhmes pas Luftës së Dytë Botërore dhe se është inkuadruar në dialog me Serbinë sepse atë e organizon Bashkimi Evropian dhe është lehtësues i bisedimeve.