Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me qeverisjen e tij dhe masat që kanë ndërmarrë si ekzekutiv korrupsioni nuk listohet si një ndër problemet më të mëdha të pushtetit siç ishte gjatë kohës së qeverisjeve paraprake.
Ai madje tha se deri në fund të këtij viti Kosova do ta ketë edhe Strategjinë Kundër Korrupsion.
Këto komente shefi i ekzekutivit kosovar i bëri në Konferencën Rajonale “Praktikat më të Mira për Parandalimin e Korrupsionit – nga Politika në Veprim Rajonal për Parandalimin e Korrupsionit”, të organizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim-UNDP.
Kurti tha se korrupsioni endemik e sistematik që shtrihej në tërë institucione publike me qeverisjen e tij është ndaluar.
Ai tha se gjatë qeverisjeve të kaluara korrupsioni ishte i struktura duke filluar nga institucionet më të të larta vendore.
“Këto tashmë i kemi ndalur, këto më nuk do të kthehen dhe ajo epokë e zymtë për Kosovën ka përfunduar. Pas vetëm një qeverisje të suksesshme u patëm e rritur në 20 numra në indeksin e performancës….tani më korrupsioni nuk listohet si një ndër problemet më të mëdha të pushtetit siç ishte gjatë kohës së qeverisjeve paraprake….kemi liruar veriun e vendit tonë nga bandat kriminale të cilat mbështeteshin dhe financoheshin e dirigjoheshin nga pushteti serb dhe terrori mbi qytetarët ka marr fund. E kemi hapur veriun për zhvillim ekonomik përmes hapjes së bizneseve të reja”, tha ai.
Sipas shefi të ekzekutivit kosovar me hyrjen në fuqi t Byros për Konfiskimin dhe Verifikimin e Parusisë së Pajustifikueshme përgjegjësi do të japin ata që janë pasuruar në dëm të popullit.
Edhe nga kjo tryezë, kryeministri Kurti shprehu pakënaqësitë e tij për punon e sistemit prokurorial dhe gjyqësor në Kosovës.
“Për fat të keq e në dëm të shtetit të Kosovës, sistemi gjyqësor dhe prokurorial nuk mund të zhvillohet me hapat e zhvillimit me të cilët po ecë Qeveria e Kosovës dhe shteti ynë demokratikë. Ende ballafaqohemi me hetime jo efikase, aktakuza të dobëta, aktgjykime liruese kundrejt krimit e për më keq dënime të buta ndaj dhunuesve dhe kriminelëve…ne duam gjyqësor të pavarur e profesional dhe prokurori të ndershme e aktive, por pavarësia nuk nënkupton mungesë të llogaridhënies, gjyqësori nuk është i pavarur nga shteti , është i pavarur nga shtyllat tjera të pushtetit”, tha ai.
Deri tani Kosova nuk ka strategji kundër korrupsion, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se deri në fund të vitit do ta kemi një dokument të tillë i cili parasheh edhe digjitalizimin.
“ Digjitalizimi siguron transparencën e proceseve, llogaridhënien e zyrtarëve, por gjithashtu edhe cilësinë e shërbimeve. Nëpërmjet digjitalizimit ne arrijmë objektivitet në sistem ashtu që për vepra përafërsisht të njëjta në kontekste përafërsisht të ngjashme nuk do të kemi gjykime të ndryshme e ndëshkime edhe më të ndryshme…Edhe Kosova do t’i digjitalizoj shërbimet për qëllim të transaprencës së plotë. Me miratimin e strategjisë shtetërore kundër korrupsion deri në fund të vitit do të nisim së bashku këtë mision reformë themelore në gjyqësor e prokurim publik përmes digjitalizimit dhe transparencës për efikasitet dhe llogaridhënie”, tha ai.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsion, Adea Pirdeni u shpreh se luftimi i korrupsionit për qeverinë shqiptare është prioritet.
Ministrja Pirden tha se reforma në sistemin e drejtësisë dhe posaçërisht krijimi i Prokurorisë së Posaçme ka dhënë rezultatet e saj në luftimin e korrupsionit.
“Pavarësisht se një vend i vogël ka dhënë një shembull të qenësishëm të nisur 9 vite më parë kur Shqipëria për herë të parë ndërmori një reformë radikale në sistemin e drejtësisë për të targetuar korrupsionin endemik në gjyqësor, dhe qëllimi ishte të rikthehej besimi I qytetarëve në sistemin e drejtësisë përmes një sistemi transparent dhe llogaridhënës dhe mbi të gjitha të pavarura nga politika….Jemi sot shumë entuziastë në saje të rezultateve të kësaj reforme sot kemi dëshmi të qarta jo vetëm të seriozitetit të mënyrën se si është zhvilluar kjo reformë por mbi të gjitha dhe për faktin se kjo reformë vendosi themelet për herë të parë në Shqipëri të një gjyqësori të pavarur. Dhe kur flasim për gjyqësorin nuk mund të lëmë jashtë këtu një nga iniciativat më të rëndësishme sikurse ishte krijimi për herë të parë e një prokurorie të posaçme për krimin e organizuar dhe korrupsionit.. Që nga krijimi I këtij institucioni në 2019 në kohë të shkurtër në më pak se 5 vite sot ky institucion ka mund të krijoj një trak rekord të qenësishëm të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, të krimit të organizuar. Sot koncepti i pandëshkueshmërisë është i shembur”, theksoi ai.
Ushtruesi i detyrës së Koordinatorit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Nuno Queiros theksoi se për Kombet e Bashkuara luftimi i korrupsionin është prioritet.
Sipas tij, ekzistenca e korrupsionit pengon në arritjen e qëllimeve të përbashkëta për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm.
“Për Kombet e Bashkuara luftimi kundër korrupsionit është prioritet, është ekzistenca e tij që është pengesë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta të paqen dhe sigurisë dhe të drejtave të njeriut dhe zhvillimet të vazhdueshëm…Kombet e bashkuara e kanë bërë të qartë nëse nuk ia dalim ta luftojmë me sukses korrupsionin atëherë do të kemi problem t’ia arrijmë qëllimet tona. Vitin e kaluar në vitin 2023 një ditë shënuese është përdorur në Samitin që ka kërkuar që të përshpejtohen luftimet globale kundër korrupsionit duke përfshirë e dhe obligimet për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin”, tha ai.