Pas takimit me kryeministrin belg De Croo dhe Komisionerin për Bujqësi dhe Zhvillimi Rural, Wojciechowski, kryeministri Kurti u takua me Didier Reynders, Komisionerin e Bashkimit Evropian për Drejtësi.
“Sundimi i ligjit është parakusht i një shoqërie demokratike dhe të zhvilluar. Ajo është vlerë e Bashkimit Evropian. Drejtësia dhe reforma në drejtësi është prioritet bazë i Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Kurti në takim.
Ai e njoftoi Komisionerin Reynders për planet e Qeverisë për reformë në drejtësi, siç është procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë dhe të sigurisë, si dhe luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nëpërmjet konfiskimit të pasurisë së paligjshme dhe të pajustifikueshme.
“Kjo reformë do të bëhet në bashkëpunim me institucionet dhe ekspertët nga Bashkimi Evropian|.
Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.