Ai duke raportuar para deputetëve për takimin e fundit në Bruksel për dialogun, tha se drafti për statutin e Asociacionit e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që sipas tij, ishte çimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
Përkitazi me këtë, Kurti theksoi se në vlerësimin e tij politik mekanizmi për vetëmenaxhim do të ketë karakter vetëm koordinues dhe bashkëpunues pa i ndërhyrë në kompetencat e pushtetit lokal dhe qendror.
“Më shpjeguan se hartimin e draftit e kanë bërë me kujdes të qartë dhe të plotë për Kushtetutën e Kosovës, letrën e zonjës Mogerini, qëndrimin amerikan të Chollet dhe Escobar dhe gjithashtu më thanë se është në përputhje me Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale dhe ligjet të tjera të aplikueshme. Nga një kënd procedural unë nuk dua të jap tani një qëndrim juridik për përputhshmërinë e draftit me Kushtetutën. Qëndrimin e draftit me Kushtetutën do të jep autoriteti përgjegjës, Gjykata Kushtetuese ashtu siç e parasheh qartë edhe draft-statuti. Megjithatë si udhëheqës i qeverisë dhe politikan dua të them një këndvështrim politik për draftin. E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë e mosnjohjes të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik drafti ka një qartësi sa i përket njohjes së Kosovës si një shtet i pavarur në të cilin serbët do të jetojnë në përputhje me aspiratat multietinike të Kushtetutës dhe pa qëllim tjetër dëmtues dhe minues për republikën në njohje të shtetit sovran dhe integritetit tonë territorial. Kjo qartazi nuk është ‘Zajednicë’ ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, pasi asisoj do të ishte e padiskutueshme. E dyta drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë se mekanizmi që do të themelohet do të ketë karakter koordinues dhe bashkëpunues. Nuk do t’i paragjykoj e as ndërhyj në kompetencat e pushtetit publik të komunave dhe organeve qendrore. E treta, drafti e mbyll hapësirën e përdorur nga Serbia që serbëve në Kosovë t’iu projektojë një të ardhme jashtë kufijve të Kosovës apo në mosnjohje të kufijve të Kosovës. Pra, drafti e bënë të qartë se vendi është Kosova dhe e ardhmja është bashkëjetesa në kufijtë e Kosovës”, tha Kurti.
Megjithatë, kreu qeveritar tha se të njëjtin ende nuk e ka pranuar pas pa nënshkrim nuk mund të ketë zbatim të tij.
“Të gjithë ata që po flasin në emrin tim, e shumë prej tyre janë edhe në këtë sallë se kinse unë e kam pranuar draft-statutin janë duke keqinformuar. Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar ende. Asnjë pranim nuk vjen në shprehje pa e parë edhe ju. Nuk e kam pranuar, prandaj nuk e keni parë as ju. Ta pranosh nënkupton të pajtohesh dhe të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit. Ajo çka unë kam ofruar është që të nënshkruaj dhe si rrjedhojë të pranojë. Meqenëse nuk ka nënshkrim s’ka pranim meqenëse s’ka pranim nuk ka zbatim. Vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe pa nënshkrim s’ka pranim”, theksoi Kurti.
Ai u shpreh edhe kritik ndaj dy partive opozitare, PDK dhe LDK, nga të cilët kërkoi sugjerime sesi e kanë bindur presidentin serb, Aleksandër Vuçiq që të nënshkruajë marrëveshje në dialog.
“Unë nuk e kuptoj presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka vendosur nënshkrim me dy kryeministra të shtetit tonë të dashur me të njëjtin dokument të vitit 2013 dhe 2015. Pse nuk e bënë të njëjtën gjë tash me mua? Serbia ose le të pranojë nënshkrimin ose të pranojë se nuk është e interesuar në një Asociacioni dhe kjo e fundit duket se është qëndrimi i ri i Serbisë. Serbia më 26 tetor ka treguar se nuk është e interesuar për Asociacion. Pse është kështu unë nuk e di, ndoshta për prirjet e Serbisë dhe motivet e saj mund të flasin më shumë ata që kanë negociuar në të kaluarën duke i besuar Serbisë, por unë jo. Unë jam i gatshëm për nënshkrim dhe i interesuar, por Beogradi nuk po dëshiron të nënshkruajë me mua, ka nënshkruar edhe me PDK-në dhe LDK-në, aman më tregoni qysh ia keni bërë ju që të mësoj edhe unë. Dilni këtu në foltore me më njoftoni sinqerisht dhe mundësisht kolegjialisht dhe vëllazërisht qysh ia keni bërë që me ju nënshkruante. Me mua po më ikë dhe po shpallë zgjedhje. Në dialogun e juaj ai është konstant dhe në Kosovë mbaheshin zgjedhje, tash unë jam në konstant dhe në Serbi mbahen zgjedhje”, deklaroi Kurti.
Mirëpo Kurti nuk u lëshua në detaje për draft-propozimin e Asociacionit, pasi tha se ka qenë kërkesë e emisarëve euro-amerikanë që i njëjti mos të bëhet publik.
Ai theksoi se në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë ka kërkuar sanksionimin dhe ndëshkimin e Serbisë për sulmin terrorist në veri.
“Ky plan përfshinte edhe një propozim për një draft-status për zbatim të nenit shtatë në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes, ne e kemi përshëndetur dhe vlerësuar qasjen e re dhe planin e ofruar për ecjen përpara. Leximi ynë është që draft propozimi për zbatimin e nenin shtatë në lidhje me nenin dhjetë është i sjell nga pesë emisarët euro-amerikan duke u shkruar më shumë kujdes për germën e kushtetutës më shumë sesa për frymën e tij. Draft-propozimi parasheh se duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës menjëherë pas pranimit të tij. Më 26 tetor në margjinat e samitit të Këshillit Evropian zhvilluam takim me krerët evropian, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Meloni, presidentin e Këshillit Evropian dhe përfaqësuesin për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell. Në këtë takim unë së pari dhe mbi të gjitha kam kërkuar më shumë siguri në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu kërkova që të bëhet ndëshkimi dhe sanksionimi i Serbisë për sulmin terrorist ndaj Kosovës, pasi mosndëshkimi bëhet inkurajim për përsëritje…Para krerëve të Bashkimit Evropian si dëshmitarë dhe si garantues ne ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë me gjithë aneksin zbatues si dhe propozimin për zbatimin e nenit shtatë të marrëveshjes në lidhje me nenin dhjetë. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim dhe për rrjedhojë edhe zbatim. Mirëpo pranimi do të thotë nënshkrim dhe vetëm nënshkrimi do të thoshte pranim dhe garanci për zbatim. Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel ishte ngjarja por edhe vendi ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi sërish nënshkrimin duke refuzuar kështu edhe draftin për vetëmenaxhim dhe zbatimi ne nenit shtatë”, tha ai.
Sipas tij gjatë qeverisjes së tij dialogu është kthyer në rrugën e duhur.
“Dy vite dialog në qeverinë tonë kanë sjell një marrëveshje. Ajo është marrëveshja e Brukselit e arritur më 27 shkurt të këtij viti dhe ka aneksin zbatues të Ohrit më 18 mars. Marrëveshja e cila tashmë është thënë hapur edhe nga deklarata e krerëve të vendeve të BE-së pas takimit në Bruksel që e kishim më 26 tetor është marrëveshje për njohje de-fakto të Kosovës nga Serbia. Pra, kemi arritur vetëm një marrëveshje e cila sjell njohje de-fakto nga Serbia dhe ky është rezultati i dy viteve dialog. I nderuar kryetar i Kuvendit dhe të nderuar deputetë, marrëveshja bazike e 27 shkurtit në Bruksel dhe aneksit të saj më 18 mars në Ohër në gjashtë rreshtat e preambulës dhe pesë nenet e para i ka njohjen de-fakto të Kosovës nga Serbia, por njohje reciproke. Pesë nene të tjera janë përgjithësisht përfituese për dy palët dhe vetëm një nen, neni shtatë i marrëveshjes ndërlidhet me trashëgimin nga dialogu i dekadës së kaluar. Por është e rëndësishme të kuptojmë se neni shtatë i marrëveshjes është rezultat i dialogut në këto dy vite. Pa nenin shtatë do të përfundonim vetëm me nenin dhjetë nga marrëveshjet e kaluara”, theksoi Kurti.