Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar sot në mbledhjen e qeverisë për vendimin e Serbisë për njohjen e targave RKS, të cilin e ka quajtur manovër të radhës për hir të pushtetit në Beograd.
Në adresimin para ministrave, Kurti kritikoi Serbinë për moszbatim të marrëveshjeve për një periudhë më shumë se 10-vjeçare, derisa shtoi se vendimi i saj është i qëllimshëm pasi kësisoji Beogradi po synon të ulë presionin nga perëndimi demokratik, për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike.
“Ndonëse i shërben lëvizjes së lirë e të lehtësuar mes dy shteteve, dua të theksoj se ky vendim po vjen pas një moszbatimi për më shumë se 10-vjeçar të marrëveshjeve paraprake, përdorimi dyvjeçar të çështjes së targave nga ana e Serbisë për të cenuar situatën e sigurisë në veri të vendit tonë dhe tash së fundi, si përpjekje për të ulur kritikat nga komuniteti ndërkombëtar mbi Serbinë pas parregullsive dhe mashtrimeve në zgjedhjet e dhjetorit atje. Pra, targat në Kosovë, në shtator të vitit 2021 përdoreshin për të kërcënuar Kosovën edhe përmes avionëve MIG-29, të ngritur në qiell përreth kufirit dhe duke tentuar destabilizim në veri të vendit, sidomos nëpërmjet 16 barrikadave të cilat ishin ngritur rrugëve të katër komunave veriore për 3 javë rresht në dhjetor të vitit të kaluar. Kurse, në dhjetor sivjet, po përdoren për të ulur presionin nga perëndimi demokratik mbi Serbinë, për zgjedhje jo të rregullta dhe jodemokratike, për të mbuluar refuzimin zyrtar që i ka bërë letra e kryeministres së Serbisë, Brnabiq, drejtuar Këshillit Evropian më 13 dhjetor, dhe për të maskuar dështimin e tyre në Banjskë më 24 shtator… Është një manovër e radhës e shtetit serb, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, tha Kurti.
Ai ka treguar se kur pritet që Kosova të njohë targat e Serbisë.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, qëndrimi ynë për targat ka qenë i mbështetur në parimin e reciprocitetit. Ne do të vazhdojmë të jemi parimor dhe konstruktiv. Vendimin tonë të barasvlefshëm si çështje e marrëdhënieve shtetërore reciproke do ta marrim sapo që Policia jonë kufitare të dokumentojë dhe vërtetojë se Serbia po e zbaton të plotë dhe pa pengesa vendimin e saj”, u shpreh kreu i ekzekutivit”, tha kreu i ekzekutivit.
Qeveria e Serbisë pritet ta implentojë vendimin për njohjen e targave RKS nga 1 janari i vitit të ardhshëm.