UBT News

Kurti: Do t’i japim fund epokës ku dominonte parulla ‘Rroga e vogël, fitimi i madh’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arsyetuar koncept-dokumentin i cili i hap rrugë ligjit të ri për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kurti thotë se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme asnjëherë nuk është private e as e ligjshme, sepse ajo kurrë nuk është fituar. Ai derisa ka folur për draft-dokumentin ka thënë se qeverisja në krye me të do t’i japë fund epokës së deritanishme ku dominonte “Rroga e Vogël, fitimi i madh”.

“Vendi ynë është i vogël dhe i varfër por qytetarët tanë janë të ndershëm e të përgjegjshëm dhe duan një shtet të drejtë dhe të barabartë. Shteti juaj me qeverisjen tonë e tuajën duhet t’i jap fund e do t’i jap fund epokës së deritanishme ku dominonte parulla: “Rroga e vogël, fitimi i madh!”. Askush nga ne nuk mund të shpenzojë pasurinë që nuk e fiton. Në jetën e përditshme ne skuqemi kur na bie zori që të kërkojmë diçka hua, dhe bëjmë gjithçka që të jetojmë brenda mundësive tona, nga rroga dhe puna jonë e ndershme. Por, ju e dini se për shumë kohë, ata që kishin duart në buxhetin e shtetit nuk ju mjaftonin pagat e privilegjet por përvetësuan pasuri që nuk e justifikojnë dot. Kjo nuk është e drejtë dhe as e ndershme, prandaj edhe duhet të veprojmë që të krijojmë një shtet ku secili merr fitimin që meriton dhe paguan detyrimin që i takon. Pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme kurrë nuk është as private e as e ligjshme sepse ajo kurrë nuk është fituar. Qeveria do të veprojë në pajtim me zotimet e dhëna para qytetarëve e në përputhje me praktikat më të mira për të ndërtuar një shtet të së drejtës me mundësi dhe shanse të barabarta për të gjithë”, ka shkruar Kurti në “Facebook”, duke publikuar dhe një video.

Exit mobile version