Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.
Në këtë samit do të ketë takim të dy kryeministrave shqiptarë, Albin Kurti e Edi Rama, pas “përplasjeve” muajve të fundit. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati anuluar mbledhjen e paraparë mes dy qeverive në korrik, pas tensioneve në veri të Kosovës. Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati refuzuar takim me Ramën, jashtë mbledhjes së qeverive.
Samiti i liderëve të Procesit të Berlinit, për herë të parë do të mbahet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian. Aty pritet të marrin pjesë kryeministrat e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, por është paralajmëruar edhe vizitë nga liderët evropianë.