Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se të dielën ka pasur darkën e parë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku sipas tij, komunikimi në tryezë ishte pozitiv.
Rama në konferencë për medie, pas takimit mes liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe BE-së dhe ShBA-së në Shkup të Maqedonisë së Veriut, tha se në vendet e rajonit kanë shpenzuar kohë dhe energji duke mos u pajtuar në terminologji për bashkëpunim ekonomik, derisa ka bërë thirrje që të shfrytëzojnë mundësinë e Bashkimit Evropian për të përfituar ekonomikisht.
“Është hera e parë që jam në një darkë me Albinin dhe presidentin Vuçiq dhe më rezulton që u bë një komunikim pozitiv mes të gjithëve, ashtu si kundër më rezulton se ky format e këto kërkesa që i ka sot BE-ja nga ne, për të na dhënë mundësinë që të marrim më shumë më tepër prapa në aspektin ekonomik dhe financiar, flasin vetë për atë që më ka rënë goja për gjithë këto vite. Ne të integrohemi brenda rajonit që të jemi gati kur të duhet të bëjmë një hap më tej në BE. Nëse ne do t’i kishim bërë të gjitha gjërat që mund t’i kishim bërë në kundër të Procesit të Berlinit dhe duke shfrytëzuar mekanizmat e ‘Ballkanit të Hapur’, si mekanizma pune për të vënë në jetën direktivat e Procesit të Berlinit, sot do të ishim gati. S’jemi gati sepse kemi humbur kohë dhe kemi harxhuar shumë energji duke u marrë me terminologji”, ka thënë Rama.