Në Shkup po mbahet një samit dyditor mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, me fokus në zbatimin e Planit të Rritjes për rajonin dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
Pjesëmarrës në këtë takim janë liderë të vendeve të rajonit, përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krišto. Ata janë bashkuar nga përfaqësues të lartë të BE-së, si dhe të institucioneve ndërkombëtare si BERZH dhe Banka Botërore.
Samiti, i cili nisi dje me një darkë zyrtare të organizuar nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në ambientet e “Winery Kamnik”, vazhdon sot në hotelin “Hilton Double Tree”. Takimi përfshin dy panele diskutimi, ku liderët diskutojnë progresin në implementimin e Planit të Rritjes dhe prezantojnë propozime për nisma të reja rajonale.
Ngjarja do të përmbyllet me një konferencë për media dhe një drekë zyrtare. Samiti shihet si një mundësi për të forcuar integrimin ekonomik dhe politik mes vendeve të rajonit dhe për të avancuar procesin drejt integrimit evropian.