Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka thënë përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se në dialog Kosova është palë e barabartë, dhe jo temë.
“Duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, ka thënë Kurti gjatë takimit me Lajçakun me 15 shtator në Prishtinë.
Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit Kurti, thuhet se në takim është diskutuar edhe për mbarëvajtjen dhe hapat e ardhshëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa Lajçak, pas përfundimit të takimit iu tha mediave se nuk do të ofrojë detaje të bisedimeve pasi një përmbledhje të qëndrimeve të tij do ta bëjë në përfundim të vizitësh tre ditëshe në Kosovë. Megjithatë ai tha se është biseduar për dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, por jo edhe për çështjen e hapjes së arkivave nga ana e Kosovës dhe Serbisë, temë kjo që ka nxitur reagime të shumta që nga përfundimi i bisedimeve të fundit në nivel të kryenegociatorve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel më 8 shtator.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh edhe udhëheqës i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, më 9 shtator ka deklaruar se në takimin në Bruksel, pala serbe ka deklaruar se janë të pajtimit që të hapen arkivat e saj në Serbi, por që edhe pala e Kosovës t’i hapë arkivat shtetërore “që kanë të bëjnë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën më 13 shtator, ka deklaruar se autoritetet e vendit janë të hapura dhe transparente dhe fati i të pagjeturve duhet të zbardhet.
Ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të qeverisë kanë reaguar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke i cilësuar si deklarata të dëmshme dhe të gabueshme.
Ndërkaq, nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës thonë se Arkivi Qendror i Kosovës dhe shtatë arkivat ndërkomunale nuk kanë asnjë fond të dokumenteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, tha për Radion Evropa e Lirë së informacionet lidhur me atë se palët në dialog, Kosova dhe Serbia, janë pajtuar t’i hapin arkivat me qëllim zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, nuk duhet marrë si fakt i kryer.
Siç thotë ajo, “do të hapet diçka që është plotësisht e padobishme ose pak e dobishme”, por, sipas saj, komandantë të luftës, oficerët, gjeneralët ose pjestarët e ushtrisë dhe policisë së Serbisë apo në anën tjetër pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë frikë se të dhënat mund të nxjerrin në dritë se kush saktësisht është përgjegjës për zonat e caktuara.
Në anën tjetër, deri më tash, autoritetet e Serbisë nuk kanë folur publikisht lidhur me pajtimin e pretenduar për hapjen e arkivave me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999./REL