Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha se për 55 ditë janë bërë punë të mëdha. Ai shtoi se për këto 55 ditë kanë siguruar 75 mijë vaksina, e që siç thotë ai deri në fund të muajit do të vijnë mbi 140 mijë vaksina të tjera.
“Kemi punuar që të marrim sa më shumë vaksina dhe të përgatisim administrimin e tyre. Kur erdhëm ne nuk gjetëm asnjë vaksinë e asnjë kontratë për sigurimin e tyre. Në këto 55 ditë kemi arritur të sigurojmë 74 mijë e 100 vaksina e derisa në fund të këtij muaji do të kemi edhe 142 mijë e 530 vaksina të reja që gjithsej arrijnë në 216 mijë e 630 vaksina”, deklaroi ai.
Teksa ka prezantuar programin qeverisës ai tha se në fushën e arsimit do të investohet në 160 çerdhe, 5 mijë mësimdhënës do të trajnohen. Ai tha se për vajzat do të ndahen 1 mijë bursa si dhe do të hiqen tarifat në institucionet publike përkatësisht në universitetet publike.
“Programi qeverisës për katër vite duhet të marr kohën e nevojshme, qytetarët duan një program që përputhet me nevojat e tyre dhe është reflektim i premtimeve drejt së ardhmes. Do të investojmë në 160 çerdhe. Do të punësojmë 400 pedagogë, 500 vlerësime të jashtme të shkollave, 5000 mijë mësimdhënës do të trajnojmë dhe do të vlerësojmë 9 mijë prej tyre dhe do t’i ofrojmë 1000 bursa për vajzat. Në institucionet publike do të heqin tarifat”, deklaroi Kurti
Kurti ka folur edhe për gjendjen në spitale, ku tha se janë bërë vetëm vend takim ndërmjet mjekut dhe pacientit. Ai tha se në programin 4-vjeçar të Qeverisë do të ketë sigurime shëndetësore që njerëzit mos të vdesin në mungesë të ilaçeve.
Ndërsa për shtesat tha se fëmijët mbi moshën 2 vjeçare do të marrin shtesa prej 20 euro në muaj, ndërsa ata mbi moshën 6 vjeçare do t’i marrin 10 euro në muaj.
“Për shumë kohë spitalet janë parë si vendtakim me mjekun dhe kjo qasje ka bërë që të mungojnë investimet. Duhet të kemi sigurime shëndetësore që askush mos të vdes në mungesë të ilaçeve dhe do të rrisim inspektimit. Fëmijët mbi moshën 2-vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore prej 20 euro në muaj, ndërsa ata mbi moshën 6-vjeçare do të marrin 10 euro, ndërsa për gjashtë muaj të pushimit të lehonisë nënat do t’i marrin nga 250 euro”, deklaroi Kurti.