UBT News

Kurti dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë: Të neveritshme, Serbia t’i ndalë ato

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dënon kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë. Siç ka thënë ai, përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani.

“Dënoj kërcënimet e neveritshme ndaj policëve të ri të Policisë së Kosovës, zyrtarë nga komunitetet joshumicë. Përpjekjet e dhunshme të Serbisë për të penguar integrimin e serbëve etnikë në institucionet e Kosovës duhet të ndalen tani. Të gjithë qytetarët e Republikës sonë kanë të drejtë t’i shërbejnë vendit të tyre pa hakmarrje”, ka shkruar ai në Twitter.

Të martën u raportua për kërcënime në kanalin rus Telegram. Zyrtarët nga komunitetet joshumicë kanë filluar punën këtë javë në veri të vendit.

Veton Elshani zëvendëskomandant i PK për Rajonin e Veriut ka bërë të ditur se policët e rinj serbë në PK janë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe komunat veriore – Mitrovica, Leposaviqi dhe Zubin Potoku.

“46 nga oficerët janë serbë, 17 boshnjakë, 8 romë, ashkalinj dhe egjiptianë dhe 3 turq. Të hënën kanë filluar. Tashmë përmes punës praktike aftësohen shtesë për të punuar në patrulla dhe detyra të tjera të nevojshme. Ata do të trajnohen në faza të ndryshme”, ka thënë Elshani.

Publikimi e emrave të policëve të rijnë serb është bërë nga kanali serb t.me/BunkerSrb në platformën ruse telegram. Aty janë publikuar emrat dhe mbiemrat e pesë serbëve.

Postimi ka vazhduar me kërcënimin, duke thënë se “kjo nuk është lista përfundimtare, dhe se të tjerat do të publikohen më vonë”.

Exit mobile version