Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka quajtur manipulative çmimet për vajin ushqimor. Ai tha se ngritja e çmimeve është fryrë artificialisht dhe duhet të ç’fryhet.
Pas vizitës në fabrikën e vajit në Gjilan, kreu qeveritar tha se rritja e çmimit të vajit nuk po bëhet nga gjendja objektive në teren, por nga faktori njeri me qëllim të përfitimit në kohë krize.
“3.50 do të mund të ishte rastësi, por 3.49 nuk është e rastësishme kjo përputhje anë e mbanë Kosovës e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorëve të Kosovës. Nuk ka kurrfarë arsye dhe nevoje për një fryrje të këtillë. Aktualisht çmimi i vajit ushqimorë në Kosovë është më i larti në botë. Pra bëhet fjalë për fryrje të çmimeve dhe të cilat bëhen nga faktori njeri dhe jo prej gjendjes objektive në teren. Këto çmime të fryra duhet të ç‘fryhen”, tha ai.
Kryeministri Kurti, apeloi tek qytetarët për mos panik, pasi vetëm në këtë fabrikë janë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar të cilët mjaftojnë për 1 muaj konsum. Ai tha se në koordinim me vendet mike të Kosovës do të shikojnë për mënyrën e sigurimit të lëndës së parë të vajit të papërpunuar.
“Në stoqe i kanë rreth 300 mijë litra vaj të papërpunuar i cili pas përpunimit do të mjaftoj rreth 1 muaj për konsumin që ekziston në Kosovë. Pra është lajm për gjithë qytetarët se kemi vaj të papërpunuar që do të përpunohet dhe do të mjaftoj për 1 muaj. Ndërkohë për gjatë këtij muaji ne do të angazhohemi si qeveri që të gjejmë burime të lëndës së parë të vajit të papërpunuar me shtetet mike, partnere dhe aleatët tanë. Në mënyrë që në Kosovë të vije vaji i papërpunuar dhe të përpunohet dhe mos të ketë mungesa në vendin tonë. Aktualisht, kërkesa artificialisht është shumë më e lartë se konsumi. Nuk është as për afër duke u konsumuar ajo që po paraqitet si kërkesë dhe po bëhet si shitje. Është e vërtet që për shkak të luftës në Ukrainë, agresionit dhe invazionit rus atje kemi ngritje të çmimit të vajit të papërpunuar në bursat ndërkombëtare”, shtoi ai.
Kurti shtoi se inspektorët janë të duke bërë gjithë dokumentin e shkeljeve, por sipas tij qëllimi do të jetë edhe te parandalimi i rritjes.
“Padyshim që do të marrim masa, inspektorët janë duke bërë dokumentimi ne të gjitha shkeljeve, mirëpo unë nuk jam i udhëhequr vetëm tek ndëshkimi që duhet të ndodh, por edhe te parandalimi që tashmë po shkaktohet. Ju e dini se inspektorët marrin evidencë për shkeljet pastaj vazhdon procedura e ndëshkimit. Por kjo po merr kohë, njerëzit ushqehen për ditë. Prandaj në spikamë tek ne nuk është vetëm evidentimi dhe regjistrimi i shkeljeve, por edhe parandalimi i dëmeve që po ndodhin me këto manipulime të çmimeve nga faktori njeri dhe kurrsesi nga situata objektive në vendin tonë”, theksoi Kurti.
Pronari i kësaj fabrike, Berat Mustafa, tha se ka problemi në sigurimin e lëndës së parë të vajit të papërpunuar, por në bashkëpunim me ekzekutivin do të shterin gjitha mundësitë që qytetarët mos të mbesin pa vaj. Ai tha se çmimi i vajit aktualisht që shitet nga fabrika është 1.95 cent për litër, sipas tij çmimi aktual i tregut është shqetësues.
“Diskutuam për furnizimet e mëtutjeshme dhe gjetjen e formës apo mënyrës më të mirë për qytetarët tanë që të kenë vaj në tryezat e tyre. Biseduam hapur, i ofruam të gjitha mundësitë si kompani dhe menaxhment të kemi bashkëpunim me qeverinë. Do t’i shterim të gjitha mundësitë që qytetarët tanë mos të mbesin pa vaj, por edhe lusin që mos të kenë vajin të shtrenjta në tryezat e veta, pasi është produkt esencial…Çmimin që është duke shitur kompania Floil është 1.95 cent për litër, pa TVSh, ku del 2.10. Çmimi i tregut edhe për ne si kompani ishte shqetësues. I lusim t’i korrigjojnë çmimet që mos të shfrytëzohet ky vakum të mungesës së tregut. Mendoj se më shumë është krijuar panik dhe shqetësim tek qytetarët”, tha ai.
Në këtë vizitë, Kurti ishte së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrin e Bujqësisë, Faton Peci.