UBT News

Kurti: Bukoshi ishte kurajoz në politikë dhe realist në qëndrime

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen komemorative për ish-kryeministrin Bujar Bukoshi, tha se ai ishte mbështetës i rezistencës paqësore, por edhe kritik i saj në disa raste. Po ashtu, ai ishte mbështetës i kryengritjes së armatosur, por herë pas here shfaqte qëndrime kritike ndaj saj.

“Ai ishte i guximshëm në çdo situatë. Kurajoz në politikbërje, realist në qëndrime dhe adhurues i veprimeve,” tha Kurti.

Ai vlerësoi sidomos komunikimin e Bukoshit me diplomatët dhe gazetarët gjermanë. “Bujar Bukoshi ishte kryeministri i parë dhe i fundit i Republikës së parë të Kosovës,” u shpreh Kurti, duke përmendur përpjekjet e tij për ta njohur opinionin ndërkombëtar me represionin politik dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë viteve ’90.

Kurti theksoi se Bukoshi ishte ndër protagonistët kryesorë të zhvillimeve politike të asaj kohe dhe shtoi se me kalimin e viteve, historianët do të studiojnë rolin dhe kontributin e tij në historinë moderne politike të Kosovës.

Në fjalën e saj, vajza e Bukoshit, Shota Bukoshi, foli për anën njerëzore të babait të saj. Ajo tha se ai ishte po aq i saktë dhe i guximshëm si në profesionin e mjekut, ashtu edhe në ndjekjen e vizionit për vendin.

“Po aq ishte mbështetës, plot dashuri dhe me humor kur ishte te ne në shtëpi. Në vitet e fundit, kur ai u përball me një sëmundje të rëndë, ne njohëm edhe një baba tjetër: luftëtarin që sfidonte sëmundjen me të njëjtën vendosmëri me të cilën përballonte vështirësitë që i sillte politika,” tha ajo.

Shota Bukoshi përfundoi fjalimin me theksin se në dhimbjen e familjes së saj është një ngushëllim i madh fakti që vepra dhe kontributi i të atit po vlerësohen.

Exit mobile version