Në hapje të takimit inaugurues të Komitetit Nacional Koordinues të Partneritetit për Qeverisje të Hapur (Open Government Partnership) kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, tha se ky nuk është thjesht një partneritet ndërmjet qeverive, por është partneritet mes qeverive dhe qytetarëve.
“Duke i bërë qeveritë më të hapura ndaj kritikës, rritet vet-reflektimi, puna dhe angazhimi, dhe kështu bëhet bashkëqeverisja”, tha ai.
Kryeministri foli edhe për punën e Policisë së Kosovës duke thënë se njëjta është për t’u lavdëruar meqenëse ka kryer 437 operacione, 746 bastisje dhe në këta 7 muajt e fundit janë shkatërruar 31 grupe kriminale.
“Sepse nuk mund të kemi më pasuri të majme, e të mos ia dimë burimin asaj pasurie. Zbrazëtirat ligjore i kemi plotësuar, pengesat i kemi hequr, pasuria e paligjshme do të konfiskohet me ligjin e ri”, citohet Kurti.
Ai kujtoi se para saktësisht 17 ditëve është miratuar edhe koncept-dokumenti për zhvillimin e procesit të Vettingut në sistemin e drejtësisë.
“Nuk mund të jemi indiferent ndaj keqpërdorimeve e zhvatjes që kanë ndodhur për këto dy dekada. Na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas, edhe të drejtë edhe efikas, si dhe prokurorë me integritet dhe energjik, edhe që kanë integritet po edhe që janë energjik, që nuk janë pasiv, që e bëjnë punën e tyre me nder e profesionalizëm dhe që na e sjellin drejtësinë e munguar”, vijoi ai.
Kryeministri theksoi se Kosova e pasluftës nuk ka pasur stabilitet institucional sikurse që ka tani. Sipas tij, ky stabilitet institucional e ka transformuar besimin e qytetarëve në pajtueshmëri me institucionet dhe ka pasur edhe efekte pozitive ekonomike.
“Ka një divident ekonomik stabiliteti institucional dhe procesi demokratik. Procesi demokratik i zgjedhjeve, rezultati demokratik, stabiliteti institucional që erdhi më pas ka edhe efekt në ekonomi. Ka një divident për buxhetin e shtetit”, tha ai.
Duke potencuar se lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit janë prioritete të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri tha se Qeveria mbetet e përkushtuar për rritje të bashkëpunimit me të gjithë akterët e nevojshëm, me qëllim të gjetjes së mënyrave për të ekspozuar korrupsionin e për të përmirësuar qeverisjen e mirë.
Partneriteti për Qeverisje të Hapur u vlerësua si një mjet i rëndësishëm për agjendën e transparencës, duke inkurajuar angazhimet publike, duke ndarë praktika të mira në veçanti duke përdorur digjitalizimin dhe teknologjinë inovative.
Ky partneritet do të inkurajojë angazhimin mes qeverisë dhe shoqërisë civile, për të punuar në interes të publikut, tha kryeministri Kurti, në përmbyllje të këtij takimi, ku morën pjesë Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, anëtarët e Komitetit Nacional Koordinues dhe përfaqësues të shoqërisë civile.