UBT News

Kurti: Blerim Isufaj e di që nuk bëjë pazar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka replikuar sot deputetëve në lidhje me arrestimin e djeshëm të kryeshefi të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Kurti ka thënë se të njëjtit me fillimin e seancës, kishin nisur edhe seancën e gjyqit Krasniqin. Teksa ka folur për prokurorin Blerim Isufaj, ai ka thënë se i njëjti nuk e dinë se Kurti nuk bën pazar.

Gjatë debatit për arrestimin e djeshëm, shefi i ekzekutivit duke iu referuar si ‘deputeti me shurdhues’, i ka thënë Abelard Tahiri se do të dëshironte të jetë kryeshef i KEK-ut, Njazi Thaçi.

“Unë nuk kam dilema që deputeti me shurdhues do të dëshironte që kryeshef në KEK të jetë Njazi Thaçi. Po ai është shkarkuar në ‘Kurti 1’, vonë je tash, para tri vitesh është shkarkuar ai. Pra, deputeti me shurdhues aty e ka hallin që nuk e ka kryeshef Njazi Thaçin”, është shprehur ai.

Para deputetëve, Kurti ka thënë se të njëjtit po mbajnë seancë gjyqësore për Nagip Krasniqin.

“Natyrisht, që unë nuk do të përfshihesha në këtë debat, por kur erdha në seancë të kuvendit këtu kishte nisur seanca gjyqësore për Nagip Krasniqin. Pra, unë po intervenoj në intervenim. Unë porsa hyra këtu në seancë mendova që jam në sallë të gjyqit. E jo në seancë plenare, këtu kishte filluar gjyqi ndaj Nagipit. Mua më thanë të ja tregoj vendin Nagip Krasniqit. Po qysh me ja tregua vendit njeriut që është në burg, çfarë vendi me i tregua unë atij? Njeriut në burg i bëhet në parlament gjyqi, prandaj unë ndërhyva”, ka deklaruar Kurti.

Ai i ka reaguar edhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se prokurori Blerim Isufaj po të donte të bëhej kryeprokuror do të bënte pazar me të.

“Unë e falënderoj shumë deputeten Hykmete Bajrami që tregoi qysh ja kanë bërë dikur. Pra, ajo tha që po të dëshironte Blerim Isufaj të bëhet kryeprokuror me çdo kusht kishte ardhur me dosjen e Nagip Krasniqit tek unë si kryeministër që të bëjmë pazar. Ama, ai e din që nuk bëjë pazar, ai ka ardhur tek ju ashtu. Ai tek ju ka ardhur ashtu, prandaj ju e dini qysh bëhet kjo punë për tu bërë dikush kryeprokuror. Tek unë nuk ka ardhur se e ka ditë që nuk ka çka vjen”, ka përfunduar Kurti.

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi është arrestuar dje për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.

Exit mobile version