UBT News

​Kurti bisedë tefelonike me kancelarin Scholz, i kërkon mbështetje për anëtarësim në KiE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Në njoftim thuhet se marrëdhëniet ndërshtetërore dhe integrimi evropian i Kosovës, përkatësisht anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin temat kryesore të bisedës.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se kryeministri Kurti e ka njoftuar kancelarin gjerman për progresin e arritur socio-ekonomik në këto tri vjet qeverisje në Kosovë: për zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin në indikatorët e demokracisë e të sundimit të ligjit.

Me kornizën më të avancuar në Evropë për të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve joshumicë, të theksuara edhe nga raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, rezultatet në demokraci, sundim të ligjit dhe të drejtave të njeriut, pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës është veprimi i drejtë dhe vendimi i duhur në promovimin e vlerave të vetë Këshillit dhe avancimin e demokracisë, theksoi kryeministri gjatë diskutimit mbi procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, teksa kërkoi nga kancelari mbështetjen e Gjermanisë deri në anëtarësim e plotë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Këshilli i Evropës, mbi bazën e raportit të raportueses, Dora Bakoyannis, i cili brenda kishte edhe rekomandimet e Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, u votua me 82% të votave nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Opinioni i Asamblesë së Këshillit të Evropës kërkon nga Komiteti i Ministrave që pa parakushte e kushte shtesë të pranojë Kosovën si anëtaren më të re të saj e që njëherësh është shteti i vetëm demokratik evropian që ende nuk është pjesë e kësaj organizate të rëndësishme. Pranimi i Kosovës në Këshill të Evropës forcon të drejtat e njeriut dhe të drejtat e komuniteteve joshumicë pasi ju garanton qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet më tutje në komunikatë.

Exit mobile version