UBT News

Kurti bën homazhe te varri i Rugovës në Ditën e Çlirimit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë sot homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, me rastin e Ditës së Çlirimit.

Kurti e cilësoi Rugovën si një kontribuues të madh për unitetin e popullit dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve ’90.

“Duke vendosur lule të freskëta te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova – një kontribuues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi gjatë gjithë viteve të 90-ta – ne shprehim mirënjohje për rolin e tij,” tha Kurti.

Ai shtoi se do të vijojë homazhet edhe te varri i Adem Demaçit dhe më pas në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz.

“Kësisoj shënojmë edhe gëzimin tonë për çlirim, por edhe kujtesën tonë për ata që punuan dhe sakrifikuan për shtetin që e ndërtojmë dhe e zhvillojmë sot,” u shpreh Kurti para gazetarëve.

Ai nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet e tyre.

Exit mobile version