Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me anëtarë të kabinetit qeveritar, bënë homazhe në mëngjesin e sotëm pranë varrit të veprimtarit të shquar Adem Demaçi, në përvjetorin e shtatë të vdekjes së tij.
Me lule dhe nderime, Kurti përkujtoi figurën e Demaçit, duke e cilësuar atë si një simbol të rrallë të përkushtimit për çështjen kombëtare.
“Gazetar e shkrimtar, veprimtar e intelektual, i përndjekur dhe i burgosur politik, i lauruar për paqe, përfaqësues politik i luftëtarëve të lirisë, mendimtar dhe kritik, Adem Demaçi ishte mishërim i çështjes kombëtare shqiptare,” tha Kurti.
Ai e përshkroi Demaçin si një personalitet unik, të dalluar për gjuhën, mendimin dhe vetëmohimin e tij.
“Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit!”, përfundoi ai.
Adem Demaçi, mbetet një nga figurat më të fuqishme të rezistencës politike dhe intelektuale në historinë moderne të shqiptarëve.