Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se avancimi i statusit të vendit për anëtarësim në NATO është një hap i rëndësishëm në integrimin euro-atlantik.
Kurti njëkohësisht ka falënderuar ata që e ndihmuan Kosovën për avancim të statusit të saj.
“Me shumicë dërrmuese të votave të delegatëve nga vendet anëtare të NATO-s, Kuvendi i Republikës sonë tash ka statusin e anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Në prag të 25-vjetorit të çlirimit, Sofja, kryeqyteti i shtetit që 25 vjet më parë hapi hapësirën e vet ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatën kundër Serbisë, sot ishte vendtakimi në të cilin bëmë një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik, përkundër fushatës së Serbisë. Përgëzime të gjithë zyrtarëve të shtetit që punuan për këtë arritje, e shumë urime qytetarëve të Republikës. Falënderim dhe mirënjohje për të gjithë miqtë e partnerët që me votën e tyre sot i dhanë mbështetje avancimit të statusit të Kosovës në Asamblenë e Parlamentare të NATO-s dhe që i qëndrojnë përkrah Kosovës përherë”, deklaroi ai.
Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.
Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë./UBTNews/