UBT News

Kurti: Ata që po kërkojnë Asociacion një etnik të tregojnë ku gaboi Ahtisari

Për normalizim të marrëdhënieve dhe paqe afatgjatë nevojitet njohja reciproke në qendër dhe jo Asociacioni në qendër, ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ai ka thënë se të gjithë që kërkojnë asociacion mbi baza etnike në emër të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë duhet të tregojnë pse plani i Ahtisarit nuk qenka e i mjaftueshëm. Kurti ka thënë se mund e duhet të diskutohet në takime të ndryshme por që kushtetueshmëria e Kosovës nuk e duron asociacion një etnik.

Shefi i ekzekutivit, bashkë me vartësin e tij Besnik Bislimi, kanë zhvilluar takim mbrëmë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lidhur me këtë Kurti ka thënë se është i gatshëm të shkojë në Bruksel dhe të diskutojë propozimin evropian por sipas tij nuk mund të përzgjidhet një nen i caktuar me interpretim të njëanshëm dhe të sillet para propozimit.

“Ne kemi pasur një takim mbrëmë me emisarin e posaçëm të Brukselit për Ballkanin Perëndimor Lajcak, bashkë me zëvendësim tim Bislimi, dhe kemi diskutuar gjatë për propozimin e Bashkimit Evropian, çështja e të drejtave të pakicave, çështja e marrëveshjeve të mëhershme në Bruksel, është përbrenda këtij propozimi të Bashkimit Evropian. Nuk mund ta nxjerrim çerrën para kalit, së pari kali pastaj çerrja. Nuk mund të përzgjedhësh një nen të caktuar me interpretim të njëanshëm dhe ta sjellësh para propozimit. Pra unë jam i gatshëm që të shkoj në Bruksel dhe të diskutoj propozimin për të cilin kam thënë qysh në shtator të vitit të kaluar se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe është platformë e përshtatshme për të ecur përpara. Pra nuk mund të flasim për pjesën pa e hapur tërësinë, e tërësia e siguron normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se 15 vjet më parë thuhej që Kosova nuk mund të shpallet shqiptare por duhet të institucionalizohet multietnike, edhe pse 99% e popullsisë janë shqiptarë.

Ai ka shtuar se tash në Kosovën multietnike po insistohet për asociacion një etnik çka sipas tij nuk e duron kushtetuta e vendit.

“Ne mund të diskutojmë e duhet të diskutojmë, në forume të ndryshme në takime të panumërta, me akterët nga më të ndryshmit, mirëpo kushtetueshmëria e Republikës së Kosovës dhe pavarësia e shtetit tonë që u shapall para gati 15 vjetëve nuk duron asociacionin një etnik, kjo është tejet e qartë edhe për ata që nuk janë juristë, për çdo qytetar të Republikës së Kosovës dhe jo vetëm për çdo diplomat e politikanë ndërkombëtar është e qartë. Unë jam për respektimin e të gjitha të drejtave të pakicave të komuniteteve jo shumicë. Të gjithë serbët në Kosovë duhet të jenë dhe do të jenë të mbrojtur, t’i kenë shanset për zhvillim e për mirëqenie, t’i kenë të drejtat e garantuara me ligj dhe me kushtetutë. Mirëpo asociacionet e komunave që janë njësi territoriale jo vetëm administrative mbi baza etnike nuk duron kjo kushtetutë. E tillë është që nga viti 2008”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se ata që kërkojnë asociacion një etnik kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Por sipas tij, për normalizim të marrëdhënieve, Serbia është që ajo duhet të ndryshojë Kushtetutën ku në fjalinë e dytë të saj thotë që Kosova është pjesë integrale e saj.

“Prandaj ata që kërkojnë asociacion një etnik ata kërkojnë ndryshim të kushtetutës së Kosovës e unë besoj që për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë duhet të ndryshohet kushtetuta e Serbisë. Fjalia e dytë në kushtetutën e Serbisë thotë që Kosova është pjesë integrale e Serbisë, duhet të hiqet ajo fjali. Pra për normalizim të marrëdhënieve, jo Kushtetuta e Kosovës por Kushtetuta e Serbisë është ajo e cila duhet të pësojë ndryshim. Të gjithë ata të cilët e kërkojnë asociacioni mbi baza etnike në emër të më shumë të drejtave për serbët në Kosovë, do të duhej ta marrim barrën e provës dhe të tregojnë pse propozimi i ish presidentit finlandez Ahtisari i cili e ka fituar edhe çmimin Nobel për paqe, nuk qenka i mjaftueshëm apo na qenka defektuoz. Pra nuk mund të thuash e dua asociacionin një etnik pa treguar paraprakisht ku gaboi Ahtisari”, ka shtuar Kurti.

Sipas Kurtit, asociacioni nuk duhet të jetë parakusht.

“Andaj e le të zhvillohen sa më shumë takime e diskutime mirëpo për normalizim të marrëdhënieve që na shpie më afër e drejt Bashkimit Evropian për paqe afatgjate e stabilitet, për paqe afatgjatë e stabilitet të qëndrueshëm, për siguri për të gjithë pa diskriminuar asnjëri, nevojitet njohja reciproke në qendër jo Asociacioni në qendër, as asociacioni parakusht, por njohja reciproke në qendër. E ka thënë presidenti Biden, e ka thënë kancelari Scholz, po ua përsërisë edhe unë këtu juve”, ka thënë ai. 

Exit mobile version