Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka insistuar që të ketë nënshkrim dhe zbatim të marrëveshjes nga ana e Serbisë.
Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin irlandez, Leo Varadkar, Kurti ka thënë se ai po insiston në nënshkrim të marrëveshjes me Serbinë, por që sipas tij Beogradi nuk është i gatshëm ta bëjë një gjë të tillë. Shefi i Qeverisë ka kërkuar nga BE të reagojë ndaj shkeljeve që po bën Serbia ndaj marrëveshjes bazike.
“Ne dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe ato normale për neve janë marrëdheniet evropiane e të fqinjësisë së mirë sepse kjo është e rëndësishme për paqe e siguri e poashtu edhe për rrugëtimin evropian qe paraqet edhe fatin tonë por edhe synimin…Problemi është që nga 11 nenet e marrëveshjes bazike së paku 8 janë shkelur nga Serbia, ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim të marrëveshjes por edhe për respektim e mosshkelje të saj. Kjo është arsyeja kryesore pse kemi kërkuar që të ketë nënshkrim të marrëveshjes. Ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes dhe kërkojmë nga BE që si një arbitër gjithmonë të reagojë ndaj shkeljeve më të vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë edhe të shumta s’janë të vogla”, shtoi Kurti.
Kryeministri Kurti kërkoi që çështja e draft-statutit të Asociacionit mos të veçohet, siç tha ai, nga paketa e marrëveshjes bazike.
“Asociacioni nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike, andaj të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos e nxjerrin nga paketa draft-statutin ose Asociacionin si një çështje”, tha Kurti.
Kurti shtoi tha se Milan Radojiçiq duhet të dorëzohet dhe jo të ngelet i lirë në Serbi. I pyetur për ndalimin e futjes së mallrave serbe, Kurti tha se të gjitha këto janë në përputhje me situatën e sigurisë. Ai tha se kushtet e sigurisë në Kosovë dhe kufiri me Serbinë nuk janë akoma të mira.
“Dëshirojmë që implementimi dhe kryerja e projekteve tona të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës, kur kemi dilema poashtu edhe Gjykatat janë prezentë…Sa i përket kushteve të sigurisë në Kosovës, sa i përket kufirit tonë me Serbinë, nuk janë akoma të mira. Sa i përket asaj se çfarë malli lejohet të importohet apo çfarë vetura, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Dogana është adresa e duhur për çështje të imta apo më konkrete. Nuk dëshirojmë të ketë diskriminim dhe nuk ekziston asnjë masë tregtare me Serbinë, por të gjitha këto janë në përputhje me situatën e sigurisë, e cila ne dëshirojmë që të përmirësohet dhe normalizohet”, tha Kurti.
Ai poashtu tha se Irlanda është mbështetëse e Kosovës si në Këshillin e Evropës por edhe për anëtarësimin në BE, teksa shtoi se dy shtetet kanë lidhje të ngushta me ShBA-të. Kurti po ashtu tha se Kosova dhe Irlanda kanë shumë ngjashmëri, duke filluar nga lidhjet e ngushta që kemi me ShBA-të.
“Në një kohë kur demokracia kërcënohet kaq fuqishëm, Irlanda është një kampione e saj dhe një shembull për vendet që synojnë dhe luftojnë për t’i mbrojtur ato ideale. Andaj, mes pasigurive globale, kërcënimeve për kontinentin evropian, Irlanda qëndron si një testament i forcës së unitetit, aleancës dhe angazhimit të qëndrueshëm për përparim. Zhvillimi ekonomik dhe progresi social në dekadat e fundit e ka bërë Irlandën burim te frymëzimit për shumë shtete. Irlanda është veçanërisht frymëzuese për ne sepse me të kemi ngjashmëri. Nga pikëpamja shoqërore populli ynë shquhet për mikpritjen e tij pavarësisht vështirësive që ka përjetuar, për sa i përket aleancave ndërkombëtare të dy shtetet gëzojmë një aleancë të palëkundur dhe lidhje të ngushta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës… Presim qe të thellojmë miqësinë mes dy vendeve tona. Irlanda është mbështetëse e Kosovës për anëtarësimin si në Këshillin e Evropës, si dhe për anëtarësim në BE”, tha Kurti.