UBT News

Kurti: Asociacioni mund të adresohet në marrëveshjen finale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit në vitin 2023, tha se Austria është mike e afërt dhe partnere e rëndësishme për Kosovën, e cila ka ndihmuar në betejën për çlirim dhe në rrugën e paqes.

Kryeministri nga Vjena u shpreh se qytetarët kosovarë që jetojnë në Austri shërbejnë si ambasadorë të Kosovës.

“Jemi shumë mirënjohës për dedikimin tuaj në paqe, zhvillim, demokraci e presporitet për vendin tonë dhe për gjithë rajonin. Që nga të 70-at e hershme e deri në fund të 90-ave, Austria është bërë shtëpi e shumë qytetarëve tanë që iknin atëherë nga okupimi dhe lufta dhe kanë ardhur këtu, diku rreth 70 mijë qytetarë kosovarë jetojnë në Austri që shërbejnë si ambasadorë tanë, pra nuk kemi vetëm një ambasador këtu. Pra si dy vende jemi të kënaqur që të qëndrojmë në këtë shteg të zgjerimit të marrëdhënieve tona në çdo aspekt tjetër. Megjithatë, më pak se dy dekada më parë, ky qytet ka qenë dëshmitar i negociatave të vështira, e kompromiseve të dhimbshme që përfundimisht çuan në Pavarësinë e Kosovës. Për një muaj dot ë shënojmë 15 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës sonë.”, tha ai, duke shtuar se Kosova ka një Kushtetutë moderne e evropiane”, tha ai.

Kurti gjatë konferencës së përbashkët me kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, deklaroi se diplomatët e aktivistët austriakë e kanë mbështetur Kosovën në kohë nevoje, ndërsa sot tha se janë zëri i arsyes për Kosovën në institucionet evropiane.

Ai potencoi se e vlerësojnë mbështetjen e Austrisë që ka dhënë për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke shtuar se synimi është që Kosova të jetë plotësisht e integruar në BE.

Kryeministri Kurti deklaroi se kancelarin austriak, Karl Nehammer e informoi për çasjen kontruktive të Kosovës në dialogun me Serbinë, që siç u shpreh ai, dialogu që do të duhej të çonte drejt marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve, të përqendruar në njohje të ndërsjellë.

“Në një shënim pozitiv e njoftova kancelarin me qeverinë tonë llogaridhënëse e transparente dhe fuqinë tone punëtore, që është e re dhe e talentuar, ka edhe më shumë hapësirë për bashkëpunim, investime ekonomike e këmbime tregtare. Pra, folëm për atë se si mund të avancojmë marrëdhëniet tona bilaterale midis Kosovës dhe Austrisë, në politikë, në administrate e kulturë e gjithkund. Po ashtu, e ftova kancelarin Nehammer që t’i bashkohet shumë delegacioneve ekonomike austriake në Kosovë këtë vit. Z.Kancelar jeni zyrtarisht i ftuar dhe ju falënderoj edhe juve për ftesën”, nënvizoi Kurti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Kurti u shpreh se barrikadat në veri të vendit janë vendosur në shenjë të frikës nga sundimi i së drejtës. Ai tha se i kanë kërkuar KFOR-it që të ndërhyjë, por potencoi se fatmirësisht këto çështje janë zgjidhur në mënyrë paqësore dhe nënvizoi se kanë shprehur interesimin që në Kosovë të ketë më shumë ushtarë të KFOR-it.

“Ne kemi shprehur interesimin që të kemi më shumë ushtarë të KFOR-it në Kosovë për shkak të 48 bazave ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, 28 janë ushtarake dhe të tjerat quhen civile. Por, sidomos për shkak se prezenca e elementeve ushtarake paramilitare si mercenarët e Wagnerit e kështu me radhë, prezenca e tyre në këto baza është shumë më sfiduese dhe brengosëse”, tha ai.

Kurti foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, me ç’rast, potencoi se sipas Kushtetutës së Kosovës, planit të Ahtisarit, nuk lejohet Asociacioni një etnik në Kosovë.

Kurti shtoi se ofrojnë garanci dhe të drejta për të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë.

“Më 9 shtator të vitit të kaluar e kemi pranuar këtë propozim dhe unë besoj që brenga përsa i përket të drejtave të pakicave…Ne besojmë që është bazë e mirë ky propozim për të vazhduar më tutje në negociata. Pra, jemi në një moment kur flasim e diskutojmë për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe pra aty edhe çështja e Asociacionit mund të adresohet. Megjithatë, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që i ka dhënë shumë privilegje pakicës serbe dhe që është përpiluar nga z.Ahtisari, pra ish-presidenti finlandez, që ka fituar çmimin nobel, z.Albert Rohan, në frymën e saj, nuk lejon Asociacion një etnik, fjalia e parë e atij plani, e asaj zgjidhje që është hartuar nga z.Ahtisari dhe z.Rohan thotë që në fjalinë e parë, që Kosova duhet të jetë shoqëri shumë-etnike, do të thotë asociacionet apo institicionet mono-etnike nuk janë në frymën e atij plani ose Kushtetutës sonë. Megjithatë, ne ofrojmë garanci dhe të drejta më të mira, më të mëdha për të gjitha pakicat dhe të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë dhe jam shumë i angazhuar në këtë drejtim. Por, pa nënvlerësuar kushtetutshmërinë e vendit tonë, Republikës sonë pra”, përfundoi Kurti.

Exit mobile version