Albin Kurti ka marrë pjesë si Kryeministër për herë të kartërt në Symi Symposium në Athinë të Greqisë, ku kishte qenë pjesëmarrës edhe tri herë të tjera në tjera cilësi.
“Është hera e katërt për mua në “Symi”, në këtë ishull të qetë e lëvizës të mendimit zëlartë progresiv. Më kujtohet se vija këtu si një aktivist politik e deputet opozitar, në pjesëmarrjet e mia të para. Asokohe kjo ndodhte midis një lirimi nga burgu dhe arrestimit tjetër. Kështu që, në ishujt egjianë të Rodit dhe Kretës, më jepej mundësia për një pushim në liri, në të përfshihej edhe një simpozium”, u shpreh ai në hapje të tij.
“Edhe një herë u dëshmua se askush nuk mund t´i ndrydhë idetë të cilave u ka ardhur koha. Lista e kandidatëve së cilës i priva në zgjedhjet e fundit fitoi më shumë se 50% të votave, në Shën Valentinin e sivjetmë. Në atë ditë qytetarët e Kosovës, me një gjest dashurie, vendosën të mbështesin e të votojnë programin tonë për drejtësi e punë. Do të punojmë fort, e po punojmë mirë. E gjithsesi e dimë se nuk jemi ndonjë ishull. Jemi të ndërlidhur, e lidhje na duhen edhe më shumë”.
Ky është fjalimi i plotë i Kryeministrit Kurti në hapje të edicionit të 23-të të Symi Symposium në Athinë të Greqisë, i cili po zhvillohet sipas Chatham House Rules
Më lejoni t´ia nis duke uruar përvjetorin e pavarësisë së Greqisë, 200 vjet më parë, e po ashtu 40 vjetorin e përfshirjes së saj në Bashkimin Evropian.
Të dashur miq e pjesëmarrës në Simpoziumin “Symi” të 23-të,
I dashur z. Peppas, i dashur mik George Papandreou,
Është hera e katërt për mua në “Symi”, në këtë ishull të qetë e lëvizës të mendimit zëlartë progresiv. Më kujtohet se vija këtu si një aktivist politik e deputet opozitar, në pjesëmarrjet e mia të para. Asokohe kjo ndodhte midis një lirimi nga burgu dhe arrestimit tjetër. Kështu që, në ishujt egjianë të Rodit dhe Kretës, më jepej mundësia për një pushim në liri, në të përfshihej edhe një simpozium.
Edhe një herë u dëshmua se askush nuk mund t´i ndrydhë idetë të cilave u ka ardhur koha. Lista e kandidatëve së cilës i priva në zgjedhjet e fundit fitoi më shumë se 50% të votave, në Shën Valentinin e sivjetmë. Në atë ditë qytetarët e Kosovës, me një gjest dashurie, vendosën të mbështesin e të votojnë programin tonë për drejtësi e punë. Do të punojmë fort, e po punojmë mirë. E gjithsesi e dimë se nuk jemi ndonjë ishull. Jemi të ndërlidhur, e lidhje na duhen edhe më shumë.
Le ta bëjmë një ushtrim të thjeshtë, një kërkim në Google, duke shkruar aty veç katër fjalë, e le të jenë ato fjalë: “need for international cooperation”. Edhe nëse e kufizojmë kërkimin për vetëm 24 orët e fundit, sërish do të dalin dhjetëra mijëra rezultare. Mes shumë të tjerëve, një politikane nga India, një aktivist nga Kanadaja, një afariste nga Taivani, një filozof nga Gana, një gazetare nga Serbia, një punëtor nga Spanja, një siriane e shpërngulur, një refugjat në Zvicër, një bankiere në Peru, një profesor në Shtetet e Bashkuara, dhe, përulësisht juaji, kryeministri i Kosovës këtu në këtë simpozium që bën bashkë njerëz të shquar nga rajoni, kontinenti ynë, e përtej.
Dëshiroj sinqerisht të falënderoj mikun tonë të përndertë, George Papandreou-n. Ky simpozium na i jep mundësinë të takojmë mendje të shkëlqyera, akademikë e politikanë, artistë e aktivistë, njerëz me përvoja e profile të ndryshme të dedikuar për çështjen e progresit. Bisedat formale e joformale këtu ma kujtojnë atë që thoshte dikur athinasi i famshëm, Perikliu (siç na i përcjell Tuqididi), se diskutimi nuk duhet parë si një bllokim pengues për veprimin, por duhet menduar si një pararendës i domosdoshëm për çdo veprim të urtë. Para se të vëmë në jetë politikat tona, para se të bëjmë çdo veprim, është e domosdoshme për ne që të ballafaqojmë mendimet, të këmbejmë këndvështrimet, të përballemi me njëri-tjetrin pa u trembur prej kritikave konstruktive, e të mësojmë nga përvojat anekënd botës e përgjatë historisë.
Duket sot sikur gjithkush po rreket për më shumë bashkëpunim ndërkombëtar. Madje dhe e djathta ekstreme e ultrakonservatorët, ata që u mëshojnë aq shumë politikave identitare e konfliktuale, sot janë duke ndërtuar organizimet e tyre të ashtuquajtura ndërkombëtare. Deri edhe rusi Aleksandër Dugin, njëri prej ideologëve të kësaj rishfaqjes së huntingtonianes «përplasje mes qytetërimeve», shkruan sot tekste anti-koloniale mbi Afrikën apo Azinë Perëndimore (Lindjen e Mesme). Me siguri, të gjithë e kuptojnë se përdorimi prej tij i antikolonializmit në këto raste është thjesht një instrument për të fituar sa më shumë hapësirë për ato fuqi të mëdha që ende mendojnë me termat që aq shumë i donte Carl Schmitt-i.
Por, ndërkohë që qëllimet e tyre janë të lexueshme për ne, nevojitet të mbajmë gjithnjë parasysh se ka popuj e kombe të cilat ende përpiqen për çlirim e dekolonizim, për liri e barazi. Mbështetja për lëvizjet anti-koloniale dhe për dekolonizimin është një domosdoshmëri për ne, progresistët, që të mos humbasim terren përballë të djathtës ekstreme.
Na duhet ta mbrojmë terrenin. Tash kur e djathta ekstreme po i mobilizon punëtorët që janë aq të frikësuar se mos bien në një situatë të paqëndrueshme ekonomike gjatë këtyre kohëve të krizës globale, ne duhet të jemi pak më të kujdesshëm në përqafimin jo-kritik të gjuhës liberale. I dimë të gjithë “katër liritë”. Mirëpo, importi i mallrave a i dëmton prodhuesit vendorë? Importi i punëtorëve, a i dëmton sindikatat dhe të drejtat e punëtorëve? Këto janë pyetjet që po i shtron e djathta populiste, e ato shkojnë drejt e në zemër, kur dëgjohen nga punëtorët, bizneset e vogla, prodhuesit dhe njerëzit e papunë në shumë vende të botës. Çka duhet t’u themi këtyre njerëzve? Ne duhet t´i mbrojmë ata dhe të drejtat e tyre sindikale, e njëkohësisht duhet të promovojmë me zell tregtinë e drejtë, në forumet kombëtare e ndërkombëtare. Në një perspektivë më të gjerë, do të thosha se pandemia e ka dëshmuar tashmë se sa e rëndësishme është që ekonomitë të jenë të balancuara e të integruara, e që gjerësisht të jenë të vetë-qëndrueshme e jo shumë të varura prej zinxhirëve të ofertës me distancë të gjatë. Ky mësim mendoj se do ta bëjë investimin në vendet e afërta (nearshoring) shumë të rëndësishëm për Evropën, sa i përket prodhimit të të mirave e shërbimeve.
Ne duhet ta shpjegojmë saherë, se mërgimtarët nuk do t´i kishin lënë vendlindjet, nëse shtetet e tjera do të ishin sjellë në mënyrë të përgjegjshme me shtetet e tyre. Pabarazia nëpër botë, sot sa hap e mbyll sytë shndërrohet në pabarazi në vendin tënd. Nëse nuk gjejmë një mënyrë efikase për shpërndarje e rishpërndarje, përmes sistemeve ndërkombëtare të taksave por edhe përmes politikave ndërkombëtare të investimeve, atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë proletarë nomadë, që arratisen prej vendeve të lënduara më rëndë nga krizat ekonomike e klimatike. Kështu që, si përfundim, pabarazia do të vijë te ne, e bashkë më të do të vijë një hapësirë më e madhe rekrutuese për të djathtën ekstreme. Teksa qartësisht ne mund të debatojmë sa i përket dallimeve nuancore mes socialdemokracive, apo mes së majtës në përgjithësi, është vështirë nga cilido prej nesh ta teprojë në të qenit anti-fashist.
Kosova për shumë vite ka qenë një burim mërgimtarësh. Por tash gjërat kanë nisur të ndryshojnë. Jemi të pavarur, jemi njohur prej 117 shteteve dhe kemi nisur të përmirësojmë marrëdhëniet me vende si Greqia, udhëheqësit e së cilës na pritën miqësisht në këto ditët e fundit. Jam i sigurt se edhe më shumë vende do ta njohin pavarësinë tonë, ndërkohë që paralelisht ne po punojmë për dialog parimor me Serbinë, që do të çojë në njohje të dyanshme, me lehtësim nga BE dhe me ndihmë nga ShBA.
Nëse arrijmë që të zbatojmë programin tonë për punë e drejtësi në Kosovë, atëherë do t´ia dalim që t´i bindim qytetarët tanë që ta ndjekin lumturinë e tyre duke qëndruar në vendin e tyre. Shumica e qytetarëve tanë, jo ndryshe prej popujve të tjerë, do të dëshironin të rrinin në mëmëdhe, pranë familjeve e miqve, nëse do të mund të shihnin atje një perspektivë të mirë. Por që të arrihet kjo, duhet t’u ofrojmë atyre arsim cilësor për fëmijët dhe përkujdesje të mirë shëndetësore për këdo. Na duhet një sistem i fortë e i pavarur gjyqësor, me prokurorë aktivë dhe gjyqtarë efikasë. Na duhen më shumë investime që të krijojmë vende pune, na duhet të urëzojmë hendekun e aftësive duke e lidhur tregun e punës me edukimin profesional. Na duhet një shtet që mbron interesat e qytetarëve të tij dhe i jep një kuptim demokracisë. Këto të gjitha nuk mund të bëhen vetëm. Na duhet ndihmë për të luftuar korrupsionin e krimin. Na duhen investues nga jashtë. Dhe na duhet dinjitet në skenën ndërkombëtare, që të trajtohemi si të barabartë mes shteteve e jo të poshtërohemi apo të na spërdredhin krahët për të na u imponuar, sepse ne dëshirojmë që njerëzit të mos jenë, dhe të besojnë që nuk janë pa të drejta, të zhveshur prej fuqisë demokratike që u takon, thjesht pse ka rastisur të lindin në një shtet të vogël e me mundësi të kufizuara ekonomike.
Ne në Kosovë do ta ruajmë terrenin tonë. Ne do t´i ndihmojmë partitë e politikanët progresistë të botës, duke ndihmuar popullin tonë. E po ashtu presim politikanët progresistë nga vendet e zhvilluara, që ta ndihmojnë popullin e tyre, duke na ndihmuar edhe ne, apo lëvizjet e tjera në vendet në zhvillim të cilat kanë përkushtim të sinqertë për të qeverisur mirë e për të plotësuar nevojat e popullit.
Për qeverinë tonë, drejtësia shoqërore nuk është një qëllim anësor, por thelbi i qeverisjes. Ne besojmë se progresi ynë duhet të jetë demokratik, dhe matja e tij bëhet nga sa përmirësim ka gjendja e atyre në fund, jo e atyre në majë, gjendja e shumicës, e të gjithëve dhe e secilit, e jo e pakicës.
Është detyrë e jona që t´i japim brendi kësaj forme kaq të përdorur e të keqpërdorur kësokohe, që quhet «bashkëpunim ndërkombëtar». Ne mund ta bëjmë këtë gjë, nëse arrijmë të kuptojmë se të ndihmuarit e tjetrit do të thotë të ndihmosh vetveten.
Simpoziumi “Symi” ndihmon shumë. Do të vazhdojë të jetë ai vend ku dielli i shndritshëm dhe mendjet e ndritura shkëlqejnë së bashku. Andaj s’është për t’u habitur që të gjithë kthehen përsëri në “Symi”, qofshin ata aktivistë të qëndresës, apo kryeministra republikash.
Ju falënderoj!