Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka arsyetuar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Para mbledhjes së Qeverisë, Kurti tha se në dy muajt e fundit kanë importuar 40 përqind të energjisë elektrike dhe se vetëm për 1 ditë kanë paguar 2.5 milionë euro. Kjo formë sipas tij është e papërballueshme për buxhetin e shtetit.
Sipas tij, nga tarifat e reja nuk do të preken rreth 74 përqind e familjeve ose do të preken minimalisht.
“Na është dashur të importojmë 40 përqind të energjisë elektrike, vetëm për 1 ditë kemi paguar 2.5 milionë euro. Por një formë e tillë e subvencionimit është e papërballueshme për buxhetin e Kosovës. ZRrE-ja dje ka marr vendim për tarifat e reja dhe ne jemi zotuar deri 100 milionë euro për subvencionimin e qytetarëve tanë. Tarifat e reja praktikohen vetëm për ata që shpenzojnë mbi 800 kilovat orë”, tha ai.