Kryeministri Albin Kurti sot ka kujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në 41-vjetorin e vrasjes së tyre.
Kurti është shprehur se arsyeja e vrasjes së vëllezërve Gëvalla dhe Kadri Zekës ka qenë aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës.
“Deklaroj se mua J.G., vëllanë tim B.G. dhe shokun i vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.” – Me këto fjalë i ka përshkruar çastet e fundit të jetës së Jusuf Gërvallës, shkrimtari Ismail Kadare, në tregimin e tij “Baladë për Jusuf Gërvallën”. Por ky nuk është vetëm një dialog letrar, sepse ky tregim rrëfen një ngjarje të vërtetë historike. Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës!”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij, profili i Jusuf Gërvallës është ai i një personaliteti kompleks, i një gazetari dhe aktivisti, i një poeti dhe këngëtari, si dhe i një patrioti që formimin e tij intelektual e ka përkthyer në aktivitet thellësisht politik. Ashtu siç edhe ai i Kadri Zekës, siç ka potencuar Kurti, është i gazetarit dhe poetit, që ka artikuluar edhe në teza politike aktivitetin e tij dhe të shokëve të tjerë, në organizatat politike ilegale të kohës.
“Jusufi na ka lënë shumë këngë bashkë me vëllain e tij Bardhoshin që ende dëgjohen dhe këndohen, siç na ka lënë dhe një trashëgimi letrare origjinale që vazhdon të lexohet dhe studiohet. Por mbi të gjitha, ai i ka lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës dosjen e tij, që nuk është vetëm dosja e vetë Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, por është edhe dosja e një kohe kur Serbia shtypte dhe diskriminonte shqiptarët mbi baza etnike, burgoste, përndiqte dhe vriste ata që kishin guxim qytetar dhe vullnet politik për të kundërshtuar politikat e saj dhe për t’u ngritur kundër gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi. Lavdi Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, mes dëshmorëve që vepruan deri në vdekje për lirinë e Kosovës!”, ka shtuar tutje Kurti.
Më 17 janar të vitit 1982, në një atentat janë vrarë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Ndonëse, kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.