Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se arratisja e Enver Sekiraqës është dështim i sistemit gjyqësor. Kreu qeveritar në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, tha se vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë.
Sipas tij, reforma në drejtësi dikur ishte nevojë, kurse tashmë është urgjencë institucionale dhe shtetërore.
“Të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin si profesionist të pashoqë, të shkathtë në detyrë e shumë njerëzor me qytetarë. Triumfin e kam takuar edhe unë dhe kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqa është dështim i sistemit gjyqësor që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia. Më e rëndë bëhet situata kur këso raste nuk përbëjnë përjashtim ose nuk ngjajnë më si rastësi. Qeveria e Kosovës angazhohet çdo ditë për të përfshirë qytetarët nga të gjitha komunitetit padallim në jetën institucionale, zhvillimin ekonomik, drejtësinë sociale të Republikës sonë të përbashkët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi. Këtë nuk e bëjnë askujt të posaçëm por gjithnjë për të gjithë, për interesin publik. Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë dhe duhet të jenë qëllim dhe përkushtim i shtetit. Me gjyqësorin e mirë që drejtësinë dhe ligjit i bënë sinonime në përshtypjen e qytetarëve dhe shoqërisë. Vrasësit e policëve në liri janë kulmi i padrejtësisë, reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë tashmë është urgjencë. Urgjencë institucionale, shtetërore dhe kombëtare”, tha ai.