UBT News

Kurti ankohet për shtypjen e shqiptarëve në Serbi, dërgon letër Brukselit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke kërkuar reagim të menjëhershëm për shtypjen sistematike të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përkatësisht në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Në këtë letër, Kurti thekson se autoritetet serbe po ushtrojnë një diskriminim të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në këto rajone, duke përfshirë shtypjen politike, administrative, ekonomike, kulturore dhe identitare.

Kurti thekson se shqiptarët në këto komuna përballen me diskriminim të dukshëm, duke përmendur fshirjen e mbi 10% të shqiptarëve nga listat e votuesve, duke u privuar kështu nga e drejta për të votuar. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për papunësinë e lartë në këto zona, ku niveli i papunësisë arrin nga 30 deri në 70 përqind, shumë më i lartë se mesatarja kombëtare serbe prej 12 përqind.

Në letër, Kurti thekson se përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike është shumë i ulët, për shembull, në spitalin rajonal të Vranjës dhe në administratën komunale të Medvegjës. Ai gjithashtu denoncon ngritjen e bazave ushtarake nga Serbia në Bujanoc dhe rrethinat, si dhe ngritjen e 48 bazave operative në kufirin me Kosovën.

Kryeministri i Kosovës shpreh shqetësim për shërbimin e detyrueshëm ushtarak të vendosur nga Serbia, duke e cilësuar si një kërcënim të madh për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga kjo zonë.

Kurti theksoi se represioni i shqiptarëve në Luginën e Preshevës është në kundërshtim me vlerat evropiane dhe demokratike, dhe kërkoi që Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar të reagojnë urgjentisht për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon./UBTNews/

 

Exit mobile version