Kryeministri Albin Kurti në konferencën ”Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik” ka thënë se Serbia po përpiqet të pengojë përparimin e rajonit në integrimin evropian. Ai ka theksuar se përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga vendet perëndimore, duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas kryeministrit, Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga regjimi autokratik në Serbi, i cili është nxitur nga pushtimi i Ukrainës.
“Perspektiva euroatlantike duhet të përforcohet. Duke u rreshtuar bashkë me parimet dhe vlerat e NATO-s ata që dëshirojnë me të vërtetë mund të shfrytëzojnë një mori mundësish. Rrugëtimi drejt integrimit euroatlantik nuk është një rrugëtim që mund të niset vetëm”, tha Kurti.
“Besoj që përparimi demokratik nuk duhet të merret i mirëqenë. Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit. BE-ja dhe NATO-ja janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë. Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”, shtoi ai.
Sipas kryeministrit, përparimi demokratik i Kosovës duhet të mbështetet nga të gjitha fuqitë.
“Diplomacia parlamentare është e nevojshme sot më shumë se kurrë. Rruga drejt bashkëpunimit rajonal ka edhe pengesat e veta. Ka ende hatërmbetje historike të cilat shpesh herë rrezikojnë që të na ndajnë. Ideja që disa etni raca dhe grupe janë superiore ndaj të tjerave është një paragjykim i vjetër”, u shpreh ai.
“Në rajonin tonë shohim se si regjimi autokratik në Serbi është nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata kanë sjellë katër herë ushtrinë te kufiri ynë, kanë sponsorizuar terrorizmin, kanë shpërndarë gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme për të përligjur veprat e tyre ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka thënë Kurti.
Superioritetin e një grupi ndaj tjetrit Kurti e ka quajtur steriotip të vjetër, teksa ka bërë thirrje për dialog dhe gjithpërfshirje.
“Ka ende historikisht dallime politike dhe pabarazi socioekonomike, të cilat kërcënojnë të na ndajnë në vend që të bashkohen. Kjo është arsyeja pse duhet të promovojmë principet e dialogut dhe gjithpërfshirjes, të cilat janë esenciale për të krijuar ura ndërmjet njerëzve dhe shteteve”.
Kurti tha se presidenti i Rusisë, siç e quajti ai “Putini despotik”, veçse i ka trimëruar autokratët e tij, ndërsa përmendi sulmin në Banjskë. Ai ka folur edhe për luftën hibride.
“Megjithëse interneti ka lidhur miliarda njerëz, po shohim se e njëjta teknologji dhe e njëjta platformë, çdokush me një llogari në media sociale mund të shpërndajë narrativat e tij. Kjo ka bërë që tendenca për të kulluar ato që nuk i përforcojmë por ne shohim fushata të dezinformimit që nuk bazohet në fakte por në lajme të rreme, pra luftë hibride”, tha Kurti.
Në hapje të konferencës së organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, ndër folësit kryesorë ishte dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili inkurajoi shtetet demokratike të rrisnin bashkëpunimin me Kosovën.
“Kuvendi e zhvillon diplomacinë. ne jemi pjesë e Kuvendit dhe trupave të rëndësishëm evropian dhe botëror, jemi pjesë e Këshillit të Evropës, Kuvendi e ka një delegacion atje që bëjnë një pune të shkëlqyer”, tha Konjufca.
“Vetë krijimi i shtetit të Kosovës ka marrë shumë përpjekje diplomatike dhe ka kaluar në shumë faza të trajtimit diplomatik”, ka deklaruar ai.
Tutje ka përmendur disa nga trupat e rëndësishme evropiane, pjesë e së cilave është Kuvendi i Kosovës dhe ka thënë se po punojnë për forcim të bashkëpunimit diplomatik.
“Ne po punojmë që përmes bashkëpunimit me donatorët ndërkombëtare brenda Kuvendit t’i forcojmë kapacitetet e deputetëve dhe stafit parlamentar mbështetës, sa i përket forcimit të bashkëpunimit ndërparlamentar me shërbimet homologe të vendeve të rajonit dhe më gjerë”, ka deklaruar Konjufca.
E Peter Hurrelbrink, drejtori i FES-it për Kosovën u shpreh se po ndodh një dinamikë e re, për shkak të luftës në Ukrainë.
“Është e rëndësishme të diskutojmë sfidat, tensionet, t’i përforcojmë institucionet demokratike. Shoqëria civile ka një rol të jashtëzakonshëm por vendoset në rolin sekondar, nuk mund të ketë progres, nuk mund të kemi media të lira pa shoqërinë civile, pra përfshirjen e tyre. Ka shumë tema për të diskutuar, ka shumë pak progres për të përmirësuar jetën, premtimet e BE-së, janë të rëndësishme nëse BE-ja nuk vjen te ne, ne do shkojmë në BE”, tha Hurrelbrink.