Administrata publike në Kosovë përballet me sfida nga më të ndryshmet, megjithatë kryeministri Albin Kurti thekson se zgjidhja e tyre do të bëhet përmes një planifikimi strategjik.
Shefi i qeverisë, Kurti tha se reforma në administratën publike ka një rol qendror në programin e qeverisë.
Kurti në konferencën vjetore për Reforma në Administratën Publike në Kosovë të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha po ashtu se kanë filluar përgatitjen për strategjinë kombëtare 2030 që është imperative për një administrate efektive.
“Reforma e administratës publike ka një rol qendror në programin e qeverisë sonë, kjo për shkak të rolit të rëndësishëm që ka për lidhjen organike në demokraci ndërmjet shtetit, qytetarëve, shoqërisë civile dhe sektorit privat. Si dhe për shkak se aftësia e shtetit për të arritur reforma në administratën publike është standardi kyç për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Siç e kemi theksuar në vazhdimësi gjatë qeverisjes sonë, një nga përbërësit kryesor për një zhvillim të qëndrueshëm, është një administratë publike efektive, llogaridhënëse dhe e orientuar drejtë qytetarëve. Administrata jonë publike përballet me sfida nga më të ndryshmet, por nëpërmjet planifikimit të mirë që do të sjellë reformë të suksesshme dhe të qëndrueshme, ne do t’u përgjigjemi këtyre sfidave. Nëpërmjet planifikimit strategjik do të ofrojmë bazën e nevojshme për reformat dhe rezultatet e mira që synojmë t’i arrijmë. Pavarësisht avancimit ligjor që kemi bërë si vend, kemi trashëguar probleme të shumta. Adresimi dhe zgjidhja e tyre përpos vullnetit dhe kohës kërkon edhe një qasje transformative”, u shpreh Kurti.
Ndërsa, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se reformat në administratë publike janë të domosdoshme për një shtet që të arrijë objektivat politike. Teksa shtoi se reformat e paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës do të ishin një hap i madh për Kosovën.
“Nëse kjo reformë (e paralajmëruar nga qeveria) do të vihet në vend duke e lidhur administratën me çështjet ekonomike, financiare, reforma do të ketë një hap të madh pothuajse gjigand. Unë jam i kënaqur me zotimin kryeministrit”, tha ai.
Drejtoresha ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike(GLPS), Arbëresha Loxha tha se reforma e administratës publike është komplekse. Prandaj, për këtë ai tha se shtetet aspiruese duhet të jenë të përgatitura mirë, që të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
“Duke qenë se është proces kompleks dhe gjithëpërfshirës, shtetet aspiruese duhet të jenë të përgatitura mirë, në mënyrë që të bëhen anëtare të suksesshme të Bashkimit Evropian. Këto principe e definojnë atë çfarë e bën një administratë publike plotësisht funksionale në ofrimin e shërbimeve transparente, efektive për qytetarët e saj dhe njëkohësisht e përgatit vendin të zhvillohet ekonomikisht dhe në aspektin social. Kosova së bashku me vendet e Ballkanit monitorohet nga SIGMA bazuar në këto principe”, theksoi Loxha.
Duke parë rëndësinë e madhe të procesit reformues, GLPS vlerëson se kërkohet një dinamikë më e madhe për të arritur progresin e dëshiruar.