UBT News

Kurti: Adem Jashari ka hisen më të madhe në historinë e vendit

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Epopeja e UÇK-së është trashëgimia më e madhe politike, kulturore e kombëtare. Sipas tij, Kosova është çliruar nëpërmjet trashëgimisë që e prodhoi figura e Adem Jashari. Ai në seancën solemne për nder të 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së u shpreh se liria ishte kushti i jetës që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit.

Para Rifat Jasharit, diplomatëve të huaj, e mysafirëve të tjerë në Kuvendin e Kosovës, Kurti theksoi se rezistenca e familjes Jashari është unike.

“Epopeja e UÇK-së, përkatësisht historia e luftës së armatosur të Adem Jasharit, së familjes Jashari të Prekazit dhe gjithë atyre që ecën bashkë me ta dhe pas tyre në rrugën e çlirimit përmbledhin një trashëgimi të madhe politike, kulturore dhe kombëtare nga e cila ka ardhur liria e Kosovës dhe mbi të cilën është ndërtuar vet shteti i saj. Kosova është çliruar prej Serbisë okupatore pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. Nga po kjo trashëgimi është ngritur dhe po ndërtohet dhe po forcohet edhe shteti ynë. E kam fjalën për trashëgiminë e dalë nga kultura e rezistencës së armatosur dhe aktivizmit të kulluar politik sidomos që nga lidhja e Prizrenit e këtej, që i ka karakterizuar shqiptarët dhe veçanërisht Kosovën”, deklaroi ai.

Kurti shtoi se këmbëngulësia e Adem Jasharit dhe familja e tij sollën lirinë për popullin e Kosovës.

“Sot në Republikën e Kosovës, liria për të cilën kishte luftuar deri në vdekje Adem Jashari, është bërë paradigma bazë e jetës dhe e ligjeve të një shoqërie moderne. Vjet e shënuam 25-vjetorin e UÇK-së, kurse sivjet do ta shënojmë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Në qershor të vitit 1999 duke i përkujtuar betejat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vrasjet, masakrat dhe spastrimin etnik të kryer nga Serbia e udhëhequr nga një regjim gjenocidal mbi shqiptarët në Kosovë dhe me ndihmën e aleatëve që u çliruam bashkërisht në 25 vjet më parë. E në këtë histori të çlirimit dhe të shtet ndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe. Që në të vërtetë është hisja më e madhe që mund ta ketë një njeri në historinë e vendit dhe të kombit të tij”, shtoi ai.

Më tej, Kurti theksoi se Adem Jashari është i përveçëm që i referohet lirisë.

“Liria ishte kushti i jetës që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj, nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri, atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilën ne mund t’i referohemi lirisë sonë”, përfundoi ai.

Exit mobile version