Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se mesatarja vjetore e investimeve të huaja direkte gjatë qeverisjes së tij është është 705.6 millionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara.
I pari i ekzekutivit, Albin Kurti përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se Qeveria e tij po e bën shtetin e Kosovës një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime.
“Mesatarja vjetore e Investimeve të Huaja Direkte gjatë qeverisjes sonë është 705.6 millionë euro apo 2.4 herë më shumë sesa mesatarja vjetore gjatë qeverive të kaluara e cila është 299.8 milionë euro nëse e marrim nga viti 2007 e këtej. Qeverisja e mirë dhe e ndershme, me besueshmëri dhe kënaqshmëri të lartë qytetare, sundimi i ligjit, përparimi demokratik, stabiliteti institucional, reformat ekonomike, përgjegjshmëria fiskale, politikat tatimore të përshtatshme, mbështetja e investimeve përmes garantimit të kredive, fuqia punëtore e kualifikuar, e me skemat e punësimit të subvencionuara nga qeveria po e bëjmë shtetit tonë një destinacion përherë e më shumë tërheqës për investime dhe opsion gjithnjë e më të favorshëm për investitorë të huaj”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti në Facebook.