Rasti i aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari është rikthyer si temë nga Sami Kurteshi aktualisht anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga partia në pushtet.
Kurteshi përmes një konference para Prokurorisë Speciale të Kosovës ka treguar në mënyrë kronologjike rastin e Deharit në tërësi.
Kurteshi tha se Dehari është arrestuar i pafajshëm dhe është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
“Rasti arrestimit të aktivistëve të LVV ka përfunduar me aktgjykim të plotfuqishëm më 30 tetor 2023 nga Gjykata e Apelit pas kthimit e rigjykimit. Gjykata e Apelit ka vërtetu që nuk ka asnjë dëshmi të vetme as një fakt të vetëm që i fajëson të arrestuarit dhe thotë aktivistët e LVV-së. Astrit Dehari është arrestu si i pafajshëm dhe është vrarë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016”, tha Kurteshi.
Kurtishi ka folur edhe për prokurorët të cilët e kanë pas rastin Dehari e të cilin sipas tij nuk e kanë përfunduar.
“Rasti i vrasjes së Astrit Deharit është në duar të prokurorisë tani e 7 vjet 6 muaj e 17 ditë. Në duar të prokurorisë si rast i vrasjes jo rast i arrestimit. Pas vonesave shumë mujore prokuroria i ka dërgu dokumentet për ekspertizë e super ekspertizë në Llozanë në institutin për mjekësi ligjore. Pas një kohe aj institut e ka kthy përgjigjen në të cilën konstaton se hipoteza për vetëvrasje e Astrit Deharit nuk mund të merret parasysh. Do me thënë bie…. Ata kërkojnë të bëhet hetim i tërësishëm duke bërë edhe zhvarrosjen e trupit. Prokuroria Speciale nuk e ka marrë parasysh atë çështje i ka grah avazit të vet për ta fshehur rastin dhe mbulu fajet. Ajo çka ka bërë Prokuroria Speciale në dy raste ka dërgu dëshmi të manipuluara në Llozanë”, tha Kurteshi.
Sipas tij rasti i Deharit po kalon në duar të prokurorëve të para pensionuar. Derisa tha se rasti është në duart e prokurorit të 5-të i cili edhe dy ditë sipas tij del në pension.
“Prokurori i rastit i Prokurorisë Speciale Afrim Shefkiu që pas dy dite do të pensionohet ne i kemi veç 4 të pensionuar ky është i 5-ti që pensionohet e prokuroria qe 7 vjet e 6 muaj e 17 ditë nuk e ka përfunduar rastin. Edhe një prokuror shkon në pension e rasti nuk përfundohet. Nuk mund të fshihet një krim i vrasjes duke shkuar në pension e ti lënë punët në gjysmë. Prokuroi Afrim Shefkiu për 3 vjet e 9 muaj nuk ka bërë asgjë tjetër. Po e ka bo një veprim e ka marr 2 ose 3 herë ministren Albulena Haxhiu për postimet e saj në Facebook në pyetje si dëshmitare. Ai nuk ka qenë në gjendje me hetu rastin”, shtoi Kurteshi.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurteshi tha se është e qartë që është zvarritje e qëllimshme e rastit.
“Në këtë rast unë dua të deklaroj edhe në emër të Vetëvendosjes strategjia e prokurorisë shtetit të Kosovës është e qartë zvarritje e qëllimshme e rastit, bartje e rastit në kompetencë të prokurorëve parapensionistë që dorëzojnë stafetën e krimit njëri te tjetri. Ne nuk e dimë se cili do të jetë prokurori tjetër parapensionist që do ta merr rastin edhe do të zvarritet. Një është e sigurtë rasti ka me u zbardhë. Ne e dimë që zvarritja është dhimbje për familjen, për shokët e miqtë por rasti nuk mund të zvarritet në tërësi dhe fajtorët do të dalin para drejtësisë”, përfundoi ai./UBTNews/