Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë arritur koalicion qeverisës në Gjilan. Kësaj të fundit do i takojë pozita e nënkryetarit të komunës dhe katër drejtori, ndërkaq partia fituese e zgjedhjeve do të udhëheq me drejtoritë të tjera.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për KosovaPress, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, Ismajl Kurteshi, i cili bëri të ditur se kjo marrëveshje është bërë edhe me disa subjekte të tjera.
“Po, marrëveshja është arritur në mes të Vetëvendosjes, PDK-së edhe disa subjekteve të vogla. Dhe tani kemi shumicën që edhe mund të them qeverisjen e përbashkët gjatë këtyre katër viteve”, ka thënë ai.
Po ashtu, Kurteshi ka treguar për ndarjen e drejtorive që do të udhëheqin në katër vitet e ardhshme.
“Partia Demokratike e Kosovës e merr nënkryetarin e komunës edhe i merr katër drejtori. Kryesuesi i takon Vetëvendosjes dhe drejtoritë tjera. Me ato tri subjektet janë marrëveshje që për neve edhe vet nuk i mbajmë mend sepse nuk kam qenë pjesë e bisedimeve vetëm me PDK-në”, ka njoftuar ai.
Kurteshi nuk ka treguar emrat e përveçëm të udhëheqësve të drejtorive, meqë sipas tij nuk është diskutuar.
Sot në ora 15:00 do të mbahet mbledhja urgjente e thirrur për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në Gjilan.