UBT News

Kurteshi: Nis numërimi votave në të gjitha qendrat komunale të numërimit

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e LVV-së, Sami Kurteshi ka thënë se problemet me shpalljen e rezultateve preliminare, ishin të natyrës teknike, për shkak të dështimit të sistemit digjital. Sipas tij, me këtë problem tani janë duke u marrë ekspertët edhe nga policia e kosovës dhe prokuroria.

Sidoqoftë, ai tha se me gjithë këto probleme të cekura, nuk ka vend për shqetësim.

Kurteshi ka thënë po ashtu se fletëvotimet, formularët e numërimit nga vendvotimet dhe materialet tjera nga vendvotimet janë të gjitha të ruajtura.

Tani ka filluar rinumrimi i të gjitha kutive të votimit në Qendrat Komunale të Numërimit. Do të rinumërohen të gjitha kutitë nga vendvotimet. Çdo votë do të rinumërohet për subjektet politike”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, të gjitha gabimet dhe lëshimet mund të identifikohen me lehtësi dhe të eliminohen.

Çdo qytetar e qytetare, çdo votues që identifikon, vëren apo gjen çfarëdo gabimi, lëshim në votat e publikuara, gjen dëshmi konkrete, të drejtohet në KQZ, qoftë në rezultatet preliminare, qoftë edhe pas rinumërimit, i lutem mirësisht të lajmërohet në KQZ me telefon, email apo personalisht, duke i ofruar dëshmitë konkrete”, ka shkruar ai.

Në ndërkohë, sipas tij pas ardhjes së të gjitha votave nga mërgata, do të fillojë verikimi dhe numërimi i votave nga mërgata, i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta, në QNR, në mënyrë publike, transparente nën syrin e vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë.

Ai në fund ka thënë se “vullneti i popullit, i qytetares e qytetarit, i votuesit, është i paprekshëm, i pandryshueshëm dhe i patjetërsueshëm dhe do të mbrohet me të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit! Nuk ka vend e as arsye për shqetësim”.

Mbrëmjen e 9 shkurtit pas mbylljes së qendrave të votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve filloi me publikimin e të dhënave mbi rezultatet preliminare, mirëpo më pas filloi të ketë probleme teknik dhe kishte rënë i gjithë sistemi, duke u pamundësuar edhe qasja në platformën e KQZ-së. Lidhur me këtë problem të KQZ-së, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë ditës së djeshme, pasi ka pranuar informacion rreth mos-funksionimit të platformës së KQZ-së, ka kërkuar nga ky institucion marrjen e informatave të nevojshme për të vërtetuar nëse ka elemente kryerjes së ndonjë vepre penale apo jo. Më 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. Ky proces zgjedhor është konsideruar demokratik dhe i qetë.

Exit mobile version