UBT News

​Kurrikula për arsim, deputeti Rrahmani akuzon Nagavcin se po cenon rolin e familjes

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Eman Rrahmani, ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, se përmes kurrikulës së re në arsim, më saktësisht në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues, ka elemente ku cenohet roli i familjes.

Deputeti Rrahmani tha se në atë kurrikulë mësimdhënësit iu mësojnë fëmijëve nga klasa e parë deri tek e dymbëdhjeta sesi kryejnë marrëdhënie seksuale në shtëpitë e tyre.

Mirëpo, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i mohoi të njëjtat, derisa tha se deputeti Rrahamani po keqpërdorë foltoren e Kuvendit të Kosovës.

“Ministria Nagavci duhet të tregoj se çka ka bërë për korrikulën për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues. Nuk e di deputetë a ju ka ra me lexua atë pjesë…Në atë kurrikulë mësohet sesi mësimdhënësit t’iu tregojnë fëmijëve prej klasës së 1 deri në 12 sesi i kryejnë marrëdhëniet seksuale në shtëpitë e tyre. Në atë kurrikulë, ministrja Nagavci ka prezantuar se fëmijët prej klasës së 1 deri 12 të marrin shembull një vajzë dhe një djalë ku i qesin para gjithë klasës dhe njërit ia mbyll sytë për pesë minuta dhe nxënësi tjetër ka me prek të gjithë trupin me sy mbyllur. Pastaj do të t’i ndërrojnë rolet dhe para së gjithë klasës do të tregojnë se çka kanë ndjerë, çfarë organi kanë prek dhe si janë ndje ata fëmijë. Kjo është kurrikula e publikuar në MAShT në vitin 2023”, tha ai.

Por, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se është për keqardhje fjalimi i deputetit Rrahmani, për të cilin tha se po keqpërdor foltoren e Kuvendit.

Sipas saj, në kurrikulat që i kanë miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe riedukimin e të gjitha vajzave dhe djemve.

“Është për keqardhje të keqpërdoret kjo foltore për interesa personale ose të një grupi. Thjesht dhe shkurt, deputet Rrahmani, kurrikulat tona që i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe riedukimin e të gjithave vajzave dhe djemve në mënyrë që asnjë vajzë dhe asnjë djalë mos të keqpërdoret si është bërë deri tani. Pse s’flisni për udhëzimin administrativ, sot s’kemi asnjë vajzë që nuk vijon mësimin…Deputetë Rrahamani në vazhdimësi e keni keqpërdor këtë foltore duke thënë se vajzat nuk shkojnë në shkollë për shkak të mbulesës. Sot që po flasim sado që jeni munduar të manipuloni me vajza dhe familje, sot nuk kemi asnjë vajzë që nuk vijon shkollimin. Do të angazhohem maksimalisht që të ketë një edukim të plotë për secilën vajzë dhe secilin djalë”, tha ajo.

Mirëpo, ministres i reagoi sërish deputeti Rrahmani, i cili i kërkoi asaj të del dhe të tregoi në detaje kurrikulën për arsim.

“Në atë korrikulë thuhet se organi gjenial nuk është ashtu siç duket në pornografi. Në atë korrikulë shkruan se gjinia që ju kanë treguar prindërit nuk është e vërtet, por atë duhet ta kuptoni deri pas moshës 16 ose 18 vjeçare. Kjo është ajo kurrikulë, dil tregoje, shpjegoje në detaje”, tha ai.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë shqyrtimin e projektbuxhetit për vitin 2025.

Exit mobile version