Këtë muaj: Harro romancat dhe puthjet festive, përgatitu për drama, trille dhe emocione që nuk harrohen lehtë.
Në vend të atmosferës së ngrohtë të festave, provo këto sugjerime që premtojnë adrenalinë, mister dhe histori që të mbajnë para ekranit.
“The Vince Staples Show”
Në këtë komedi-thriller, asgjë nuk është ashtu siç duket. Seriali ndjek Vince-n, i cili, siç thotë vetë në trailer-in e sezonit të dytë, “po kalon disa gjëra”. Këtë herë, ai përballet me dhimbje të thella familjare, që shfaqen përmes skenave metafizike, monologëve reflektues dhe madje edhe momenteve të animuara. Një seri që luan mes realitetit dhe imagjinatës, me humor të zi dhe mesazhe të forta emocionale.
“Frankenstein”
Një Jacob Elordi i panjohur deri më sot, i shndërruar në përbindësh hakmarrës, krijuar nga shkencëtari i çmendur Dr. Frankenstein (luajtur nga Oscar Isaac).
Në këtë version gotik të Guillermo del Toro, marrin pjesë edhe Mia Goth dhe Christoph Waltz, duke i dhënë historisë klasike të Mary Shelley një frymë më të errët dhe filozofike. Pyetja që mbetet në fund? “Kush është përbindëshi i vërtetë?”
“Being Eddie”
Kush fshihet pas personazheve legjendarë si Prince Akeem, Axel Foley, Doctor Dolittle apo gomari në “Shrek” (jo, s’po flasim për versionin e dubluar në shqip)? Dokumentari “Being Eddie” kërkon të zbulojë njeriun pas ikonës — Eddie Murphy. Përmes pamjeve arkivore, intervistave me miq, fansa dhe bashkëpunëtorë të afërt, filmi ofron një vështrim të rrallë në jetën e tij përtej kamerës.
“Mrs. Playmen
Në Romën e viteve ’70, Adelina zbulon tradhtinë e bashkëshortit e vendos të marrë hak, jo me dhunë, po me krijim. Ajo transformon revistëN erotike për burra në një revistë për gra, duke përmbysur normat e kohës dhe duke ngritur zërin e femrave në një periudhë konservatore. Ky serial italian është i bazuar në një histori të vërtetë, i ngarkuar me frymëzim, pasion dhe forcë femërore, dhe është po aq estetik sa edhe emocionalisht tronditës.
“Stranger Things 5: Volume 1”
Pas një dekade, Netflix sjell pjesën e parë të sezonit të fundit të një prej serialeve më të dashura — “Stranger Things”.
Premiera vjen më 26 nëntor, duke shënuar fillimin e betejës përfundimtare kundër Vecna-s.
Rikthehen të gjithë yjet që e bënë këtë univers kaq të veçantë: Millie Bobby Brown, Finn Wolfhard, Noah Schnapp, Caleb McLaughlin, Gaten Matarazzo dhe Joe Keery. Një fund epik për një histori që ka lënë gjurmë në kulturën pop të një brezi të tërë. /A.Z/UBT News/
