UBT News

Kur është koha më e mirë për të ngrënë mollë?

Mollët janë të pasura me fibra, vitamina dhe antioksidantë që mbështesin shëndetin e tretjes, zemrës dhe sistemit imunitar.

A ndikon koha kur i konsumojmë në përfitimet që marrim prej tyre? Dietologët thonë se po, trupi përfiton më shumë në varësi të momentit kur i hamë.

Në mëngjes ose gjatë mëngjesit

Sipas dr. Jaclyn A. Vernarelli, profesoreshë e epidemiologjisë ushqimore, fillimi i ditës me një mollë është një mënyrë e shkëlqyer për të nisur metabolizmin. Ato janë me pak kalori, të pasura me fibra që rrisin ndjesinë e ngopjes, ndihmojnë në rregullimin e sheqerit në gjak falë përmbajtjes së acidit klorogjenik.

Ato gjithashtu përmbajnë vitaminë C dhe kvercetinë, përbërës anti-inflamatorë që mbrojnë shëndetin e zemrës dhe sistemin imunitar.

Dietologia Lauren Manaker shton se ngrënia e një molle në mëngjes ndihmon në stimulimin e lehtë të zorrëve dhe ruajtjen e rregullt të tretjes.

Para vaktit

Konsumimi i një molle 1–2 orë para ushqimit ndihmon në kontrollin e peshës trupore, pasi ndjesia e ngopjes që ofron ul marrjen e kalorive gjatë vaktit.

Sipas dietologes Morgan Walker, fibrat që përmban molla ngadalësojnë përthithjen e karbohidrateve, duke shmangur ngritjet e sheqerit në gjak.

Një mollë mesatare përmban 5 gramë fibra, të cilat ndihmojnë në stabilizimin e sheqerit dhe reduktojnë rrezikun e diabetit tip 2 dhe sëmundjeve të zemrës.

Para stërvitjes

Disa studime sugjerojnë se ngrënia e një molle para ushtrimeve fizike mund të ofrojë një shtysë energjie. Dietologia Ashley Koff shpjegon se për disa persona është më mirë ta hanë mollën 3 orë para stërvitjes, që trupi të ketë kohë të përpunojë fibrat.

Për të tjerë, disa feta para aktivitetit japin energji të menjëhershme. Sheqernat natyrale ofrojnë energji të shpejtë, ndërsa fibrat ndihmojnë në ruajtjen e qëndrueshme të nivelit të sheqerit në gjak, duke parandaluar lodhjen gjatë ushtrimeve. Manaker paralajmëron se ata që janë të ndjeshëm ndaj fibrave duhet ta shmangin mollën menjëherë para stërvitjeve intensive.

Si pjesë e vakteve ose pas darke

Sipas dr. Ann VanBiber, profesoreshë e shkencës ushqimore në Universitetin “Texas Christian”, përfshirja e mollës në çdo vakt është zgjedhje e shëndetshme.

“Molla shton ëmbëlsi natyrale dhe ndihmon ndjesinë e ngopjes. Mund të shtohet në tërshërë, petulla apo mafine në mëngjes,” – sugjeron ajo.

Nëse pas darke ndieni dëshirë për diçka të ëmbël, një mollë është alternativë e shëndetshme. Walker rekomandon ta kombinoni me gjalpë arrash ose pak kanellë, për të shmangur ngrënien e tepërt gjatë natës. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version