UBT News

Kur do të vijnë 1.2 milion vaksinat?

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës, nuk ka zbuluar se kur do të fillojë ardhja e vaksinave kundër koronavirusit, blerë nga Pfizeri, kompani kjo me të cilën Qeveria e Kosovës arriti marrëveshje për 1.2 milion doza të vaksinës, të cilat pritet të vijnë në Kosovë deri në fund të këtij viti.

Nga Ministria e Shëndetësisë, thanë se ky proces ka hyrë në një dinamikë të re dhe se është duke u rritur intensiteti, duke theksuar se më 15 qershor pritet të fillojë zbatimi i Planit të Veprimit për vaksinimin në masë, për çka janë duke u bërë përgatitjet në Prishtinë dhe në të gjitha komunat e Kosovës.

Kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, të shtunën më 29 maj, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë arritjen e marrëveshjes me Qeverinë e Kosovës, por nga kjo kompani, kanë shtuar se sasia dhe periudha e dërgimit të vaksinave në Kosovë mbetet konfidenciale.

“Marrëveshjet për dozat dhe kohën e dërgesave arrihen në pajtueshmëri me qeveritë, ashtu sikurse dhe me Qeverinë e Kosovës dhe detajet janë konfidenciale”, është thënë në përgjigje.

Aktualisht në Kosovë, sipas Ministrisë, çdo javë janë duke ardhur kontingjente të vaksinave si pjesë e donacionit nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian. Deri më 2 qershor, në Kosovë janë vaksinuar afër 70 mijë persona.

Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se procesi i vaksinimit i cili po zhvillohet, është rezultat i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Mund te themi se për një kohë, Kosova do të ketë vaksina të konsiderueshme për vaksinimin e qytetarëve. Është një proces i cili është duke vazhduar, ndoshta jo me numrin e dëshiruar të të vaksinuarve, por që është stabil dhe ky proces pritet të rritet me vaksinimin masiv, të cilin proces ministria veç ka proklamuar që do të fillojë më 15 qershor të këtij viti”, tha Humolli.

Me fillimin e vaksinimit në masë, në bazë të planit, janë përcaktuar gjithsej 279 ekipe për të gjitha komunat e Kosovës.

“Sa i përket angazhimit të stafit mjekësor, është planifikuar angazhimi i 190 specializantëve dhe rekrutimi i 422 infermierëve, për mbështetje të procesit të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet pos të tjerash në plan.

Plani parasheh vaksinimin deri në 500 mijë qytetarëve për muaj në gjithë territorin e Kosovës, varësisht nga dozat e vaksinave që janë në dispozicion.

Të enjten e kaluar, Kosova ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.

Aktualisht, po vaksinohen personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.

Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit, të vaksinojë 60 për qind të popullatës së saj.



 Sa i takon rasteve të prekur me sëmundjen COVID-19, sipas Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), aktualisht janë 136 pacientë në trajtim, prej tyre, tre janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 96 janë nën asistim të okisgjeno-terapisë. Kurse numri i pacientëve të shtrirë, në spitalet rajonale, aktualisht është 48.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), më 2 qershor ka regjistruar 18 raste të infektimit me koronavirus, pas testimit të 2.325 mostrave dhe asnjë viktimë.

Exit mobile version