Dhimbja që ndodh vetëm në anën e djathtë të kokës mund të ketë shumë shkaqe, nga të lehta dhe të përkohshme, deri tek ato që kërkojnë vëmendje mjekësore.
Ky lloj dhimbjeje është i zakonshëm e shoqërohet me lodhje, të përziera, ndjeshmëri ndaj dritës dhe turbullim të shikimit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 50% e të rriturve përjetojnë të paktën një episod dhimbjeje koke çdo vit, duke e bërë ndër më të shpeshtat.
Shkaqet e dhimbjes së njëanshme janë të ndryshme e mund të jenë neurologjike, vaskulare, muskulare ose të lidhura me mënyrën e jetesës.
Një nga shkaqet e mundshme është neuralgjia okcipitale, e cila ndodh kur nervat që shkojnë nga pjesa e sipërme e palcës kurrizore deri në lëkurën e kokës inflamohen ose dëmtohen.
Kjo shkakton dhimbje therëse në pjesën e pasme të kokës dhe qafës, shpesh pas syrit, si dhe ndjeshmëri ndaj dritës.
Arteriti temporal është një tjetër shkak, që prek arteriet e kokës dhe qafës, te personat mbi 50 vjeç.
Ai manifestohet me dhimbje të forta në tëmth, ndjeshmëri të skalpit, dhimbje gjatë përtypjes dhe humbje të përkohshme të shikimit.
Neuralgjia trigeminale shkakton dhimbje të forta dhe të papritura në fytyrë, vetëm në njërën anë, që ndihen si “goditje elektrike” dhe zgjasin sekonda deri minuta. Kjo ndodh kur nervi trigeminal irritohet në bazën e trurit.
Përdorimi i tepruar i medikamenteve kundër dhimbjes, si paracetamoli, aspirina ose ibuprofeni, çon në dhimbje koke të përsëritur, fenomen i njohur si dhimbje koke rikthyese. Ky lloj dhimbjeje bëhet më i fortë për shkak të ndjeshmërisë së trupit ndaj medikamenteve.
Dhimbja në anën e djathtë të kokës mund të lidhet gjithashtu me:
Migrenë
Dhimbje të tipit cluster
Tension muskulor në qafë ose shpatulla
Infeksione të sinuseve
Çrregullime të shtyllës kurrizore
Lodhje, urije ose ndryshime në nivelin e sheqerit në gjak
Në raste më të rralla, shkaku mund të jetë aneurizma ose tumor cerebral, që shkaktojnë dhimbje të forta, të vazhdueshme dhe progresive.
Ekspertët e Harvard Health njoftojnë se ekzistojnë mbi 300 lloje dhimbjesh koke dhe rreth 90% e tyre nuk kanë shkak serioz.
Shumica e rasteve kalojnë vetë, me pushim, hidratim dhe shmangie të stresit. Megjithatë, duhet të kërkohet ndihmë mjekësore nëse dhimbja shoqërohet me:
Turbullim të shikimit;
Konfuzion;
Temperaturë;
Ngurtësi të qafës;
Mpirje ose dobësi në njërën anë të trupit;
Vështirësi në të folur;
Pas dëmtimi të kokës.
